TIRANË

Kryeministri Edi Rama ka kujtuar dhe garën me kryedemokratin Lulzim Basha në vitin 2011 për Bashkinë e Tiranës gjatë konferencës së sotme, duke folur për programin e PD-së për ekonominë.

Rama tha se pullën në biznes që do ndalojë inspektorët e ka premtuar dhe atëherë, ndërsa sipas tij premtohen ose gjëra që janë premtuar më parë ose që janë bërë.

“Kjo pulla në dyqan që do ndalojë inspektorët që të hyjnë brenda më kujtohet që nga koha e fushatës për bashkinë e Tiranës. Në atë kohë ishte që do vihet pulla tek dera dhe nuk do hyjnë inspektorët brenda dhe çmimin e bukës do ta vendosë kryetari i Bashkisë. Këto të dyja ishin premtimet. Realisht është fantastike të shohësh që premtohen ose gjërat që janë premtuar më parë, njësoj, vetëm ndryshon kursi i këmbimit, Saliu e kishte me dollarë, ky e ka me euro ose premtohen gjëra që janë bërë. Premtohet TVSH-ja 6% për turizmin ka disa vite që është bërë. Premtohet taksë e sheshtë si përpara, kur taksa është zero. Premtohet energji e rinovueshme, kur energjia jonë është 100% e rinovueshme dhe përmendet hidro, nuk përmendet fare diellorja. Flitet për rritje 15% të turizmit, kur u rrit me 20% në 2019. Po kjo pulla tek dera, se do ndalojnë inspektorët se do shohin pullën atje, është spektakël i gjumësisë jo i pagjumësisë, ndërkohë që ne do t’i heqim inspektorët fare. Ne flasim për fiskalizimin të të gjithë sistemit, flasim për tru elektronik të shërbimit të agjencive dhe të ardhurave, flasim për transaksione në kohë reale përmes kompjuterit, ky flet për pullë tek dera. Është habi e madhe. Por unë nuk i vë faj, fare, sidomos me atë zinxhir që i kanë vënë në qafë dje, i qaj hallin”, deklaroi Rama.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: