NGA OLA MITRE*

Një kurs profesional, që zgjat nga 2 deri në 11 muaj, mund të jetë zgjidhja për të gjetur një vend pune. Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë e ka shpallur arsimin dhe formimin profesional si një nga prioritetet e saj, ndërkohë që gjithmonë e më tepër shpreh nevojën që tregu shqiptar i punës ka për zanate të tilla si: mekanik, teknik apo elektricist.

Për këtë arsye, “Gazeta Shqiptare” zbardh sot të plota të gjitha kurset e formimit profesional, që ofron Drejtoria e Formimit Profesional Publik nr. 1 dhe ajo nr.4, në Tiranë. Po ashtu, për t’u ardhur në ndihmë të interesuarve, “GSH” publikon edhe tarifat përkatëse për secilin kurs si dhe kohëzgjatjen e tyre. Ajo që vihet re është kostoja e ulët e tyre, ku më i liri kushton 3.000 lekë, ndërsa më i shtrenjti 7.000 lekë.

Ndërkaq, ashtu siç është bërë e ditur edhe më herët, kurset e formimit profesional për punëkërkuesit e papunë, të regjistruar në zyrat e punësimit dhe personat nga grupet në nevojë tashmë janë falas. Më konkretisht, në grupet në nevojë përfshihen: Pjesëtarë të komunitetit rom; vajzat dhe gratë e trafikuara; personat që kanë vuajtur dënimet me burgim; jetimët (sipas statusit); personat me aftësi të kufizuara si dhe emigrantë të kthyer me probleme ekonomike.

Këtyre personave iu duhet të vërtetojnë statusin e tyre përmes dokumentacionit përkatës, pasi në këtë mënyrë mund të përfitojnë kurset pa pagesë. Për shembull, personave të papunë, të regjistruar pranë zyrave të punës, iu duhet të paraqesin vërtetimin e papunësisë, ose personave me statusin e jetimit, vërtetimin përkatës. Kjo masë është ndërmarrë nga MMSR-ja, si një mënyrë për të rritur frekuentimin e kurseve profesionale, ku mund të fitohet një zanat e më pas gjetja e mundësive të punësimit. Atyre personave të cilët do iu duhet të paraqesin dy kopje të mandatpagesës.

Ndërkohë që, dokumentacioni duhet të plotësohet edhe me fotokopjen e dokumentit të identifikimit (kartë identiteti, pasaportë ose certifikatë), dy fotografi dhe fotokopje të dokumentit të arsimit përkatës. Nëse u referohemi kurseve, në DRFPP nr. 4 ofrohen rreth 46 kurse, të ndara sipas këtyre departamenteve: Departamenti i Shërbimeve Teknike, Departamenti i Shërbimeve Turistike, Departamenti i Shërbimeve Sociale dhe Shërbime të tjera suplementare.

Ndërsa në DRFPP nr.1 ofrohen rreth 20 kurse. Elektroaut për automjete, design, instalime elektrike, kondicionerë shtëpiakë, kozmetikë (berber, estetist), kujdestar fëmijësh, llamarinist e bojatisje automjeti, operator social apo panele diellore janë disa prej kurseve profesionale që mund të ndiqen në këto qendra, ndërsa nuk mungojnë as kurset e gjuhëve të huaja, si: anglisht, italisht, spanjisht apo frëngjisht. Ndërkohë që, diplomat e përfituara në fund njihen nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. Qendra e Formimit Profesional nr.1 ndodhet në afërsi të shkollës “Harry Fultz”, ndërsa Qendra e Formimit Profesional nr.4 në bulevardin “Bajram Curri”, pranë shkollës “Besnik Sykja”.

(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: