Nga Blerim Vakaj
E turpshme, e pajustifikueshme dhe shumë alarmante, aq sa të bën të bërtasësh deri në kupë të qiellit, është ngjarja e denoncuar nga këngëtari të telefonatës së shefit të policisë ndaj Capital T, shumë të dashur nga shqiptarët në gjithë botën, duke u përpjekur ta intimidojë, ta kërcënojë, ta paralajmërojë për qëndrimet e tij ndaj protestës.
Punonjësi i policisë bën sikur interesohet nëse është në Shqipëri, kur lehtësisht mund ta verifikonte nga sistemi TIMS (nëse ai është në gjendje normale pune dhe jo i hakeruar, sepse ne e marrim vesh pas ca muajsh apo vitesh).
Kjo ngjarje tregon mënyrën se si manipulohet dhe tulatet një shoqëri. Kjo tregon edhe njëherë pse një showwoman e hoqi postimin e vet, pasi u vu në mbështetje të rinisë. Kjo e shpjegon edhe heshtjen e shumë të tjerëve.
Ndërkohë që rinia, adoleshenca dhe të rriturit presin të shohin idhujt e tyre publikë të reagojnë, disa prej tyre janë duke u shitur, ndërsa disa të tjerë janë duke luftuar me veten dhe kërcënuesit e tyre. Aq më tepër kur jeta e tyre, qoftë ekonomike, qoftë intime, është një shpellë hyrjesh dhe daljesh të fshehta për ne deri diku, por jo për pushtetin që mund ti vej lehtësisht në duart e veta. Si provë shkatërruese për ata.
Mos prisni të merrni zemër nga artistët, intelektualët dhe biznesi. Ata janë të shantazhueshëm. Luftoni për veten tuaj, kujtoni çfarë shpërblimi ka vendosur Zoti për ata që dalin kundër zullumqarëve.
Ftoj të gjithë njerëzit e pashantazhueshëm dhe të papërfshirë në interesat e pushtetit të reagojnë.
Zoti nuk e ka poshtëruar askënd që është vendosur në mbrojtje të të pafajshmëve.
Shqipëria e shqiptarëve, toka e Zotit e gjithë besimtarëve.
