NGA OLA MITRE
TIRANE- Reduktim i numrit të krediteve, ulje e ko hëzgjatjes nga 5 në 4 vite, numër minimal kreditesh i detyrueshëm vjetor dhe përfshirje e të gjithë punonjësve të shëndetit në programin e edukimit në vazhdim”. Pas përfundimit të ciklit të parë, në dhjetor të vitit 2014, këto janë disa nga ndryshimet e bëra për ciklin e ri të certifikimit, me qëllim përmirësimin e funksionimit të këtij sistemi. Gjithçka bëhet me dije nga drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Edukimit në Vazhdim, Entela Shehu, e cila përmes kësaj interviste, dhënë për “Gazeta Shqiptare”, shpjegon në detaje rregullat e reja për mjekët, farmacistët, stomatologët si dhe për tri nënprofesionet e reja, që tashmë janë përfshirë në programin e edukimit në vazhdim: infermierët, mamitë dhe ndihmësfarmacistët.
Znj. Shehu, tashmë Këshilli i Ministrave ka miratuar rregullat e reja për ciklin e ri të certifikimit për profesionistët e shëndetësisë. Për të gjithë ata që ende nuk kanë informacion, a mund të na thoni se cilat janë disa prej tyre?
Së pari, dëshiroj të theksoj se miratimi i rregullave të reja lidhet me nevojën për të përmirësuar funksionimin e sistemit të edukimit në vazhdim për profesionistët e shëndetësisë. Në këtë mënyrë ky sistem do t’u shërbejë më mirë përditësimit dhe rritjes reale të dijeve dhe aftësive të personelit shëndetësor të të gjitha niveleve të shërbimit në funksion të përmirësimit të cilësisë së kujdesit shëndetësor. Një prej ndryshimeve kryesore të ciklit të ri të certifikimit të profesionistëve të shëndetësisë ka të bëjë me kohëzgjatjen e tij. Sipas vendimit të qeverisë, ai do të zgjasë 4 vjet, nga 5 vjet që zgjati cikli i parë. Por, përveç kohëzgjatjes, janë bërë edhe disa ndryshime të tjera që synojnë përfshirjen e gjithë personelit shëndetësor në sistemin e edukimit të vazhduar si dhe përmirësimin e disa aspekteve cilësore të tij.
Çfarë keni parasysh me përfshirjen e gjithë personelit në sistemin e edukimit të vazhduar?
Kjo do të thotë që, përveç mjekëve, farmacistëve dhe stomatologëve, në programin e certifikimit përfshihen tashmë edhe infermieret, mamitë dhe ndihmësfarmacistët, të cilët do të kenë detyrimin për të mbledhur kredite.
Sa është numri i krediteve që duhet të mbledhin këta profesionistë të shëndetësisë, në fund të ciklit 4- vjeçar?
Vendimi i qeverisë ka përcaktuar numrin e krediteve, të ndarë sipas profesioneve, numër ky që ka pësuar ndryshim në krahasim me ciklin e parë të certifikimit. Tashmë, mjekët duhet të marrin 120 kredite, farmacistët, ndihmësfarmacistët dhe stomatologët 60 kredite, ndërsa infermierët dhe mamitë 40 kredite. Një risi e programit të ardhshëm është futja e një testi vetëvlerësimi. Kështu, në fund të ciklit 4- vjeçar të certifikimit, përveç numrit të krediteve të kërkuara, profesionistët duhet të marrin dhe 10 kredite, përmes testit të vetëvlerësimit që do të kryhet online dhe lidhet me specialitetin e profesionistit. Edhe ky ndryshim, besojmë se kontribuon në përmirësimin e cilësisë së programit të certifikimit.
Një nga kritikat kryesore që iu bë ciklit të parë të certifikimit, ishte fakti se profesionistët e shëndetësisë kishin mundësi që t’i grumbullonin kreditet e kërkuara brenda 1 viti, çka praktikisht shmangte konceptin themelor të edukimit në vazhdim, që është përditësimi i njohurive. Tashmë, si do të funksionojë mbledhja e krediteve?
Në këtë drejtim kemi një ndryshim tjetër të rëndësishëm, që është vendosja e një numri vjetor minimal të detyrueshëm kreditesh, pikërisht në funksion të garantimit të vazhdueshmërisë së edukimit. Ky numër minimal për mjekët është 10 kredite në vit, ndërsa për stomatologët, farmacistët e ndihmësfarmacistët 5 kredite në vit. Ky ndryshim bëhet pikërisht për të mundësuar përditësimin e dijeve në mënyrë të vazhdueshme përgjatë gjithë viteve dhe shmangien e fenomenit të mbledhjes së krediteve në muajt e fundit të programit, i cili më së shumti rezultoi një proces formal dhe joefektiv.
Po për infermierët dhe mamitë, a ka një numër minimal kreditesh, që duhet të grumbullohen në një vit?
Meqenëse infermierët dhe mamitë hyjnë për herë të parë në program, për ta janë parashikuar rregulla më pak rigoroze se për mjekët, pasi dhe mundësitë e tyre për të ndjekur aktivitete janë më të kufizuara.
Duke qenë se në ciklin e ri të certifikimit u përfshinë edhe 3 nënprofesione të reja (infermierë, mami, ndihmësfarmacistë), por vendimi u miratua vetëm pak kohë më parë, si do të funksionojë mbledhja e krediteve prej tyre?
Procesi i certifikimit të ndihmësfarmacistëve, infermierëve dhe mamive do të fillojë nga data 1 janar 2016 dhe do të përfundojë në 31 dhjetor të vitit 2019. Ndërkohë që, për mjekët, farmacistët dhe stomatologët cikli i ri 4- vjeçar ka filluar nga data 1 janar 2015 dhe do të përfundojë në 31 dhjetor të vitit 2018.
Si do të funksionojë regjistrimi i tyre pranë QKEV-së?
Ne tashmë kemi ngritur regjistrin, i cili ka të dhënat e mjekëve, farmacistëve dhe dentistëve. Në bashkëpunim me Urdhrin e Infermierit, kemi regjistruar dhe të gjithë infermierët dhe mamitë, çka do të thotë se hapi i parë për regjistrimin e tyre është bërë tashmë. Ndërkaq, është i rëndësishëm të theksohet detyrimi i çdo mjeku, farmacisti, dentisti, infermieri që të regjistrohet pranë QKEV-së. Në jo pak raste kemi konstatuar se ka ende mjekë të paregjistruar. Siç përcaktohet edhe në Vendimin e Këshillit të Ministrave, është përgjegjësi e profesionistëve të regjistrohen ose të verifikojnë regjistrimin e tyre në QKEV.
Si mund të orientohen apo informohen këta profesionistë të shëndetësisë rreth aktiviteteve, të cilat akreditohen nga Qendra Kombëtare e Edukimit në Vazhdim e që praktikisht u mundësojnë një numër të caktuar kreditesh?
Të gjitha konferencat, trajnimet, seminaret që akreditohen nga QKEV-ja pasqyrohen në faqen tonë www.qkev.gov.al në rubrikën “Kalendari i Aktiviteteve të Akredituara”, dhe aty profesionistët gjejnë të detajuar titullin e aktivitetit, datën dhe vendin se ku zhvillohet, numrin e krediteve dhe kontaktet e ofruesit të aktivitetit. Ajo që dua të theksoj është fakti se aktivitetet, të cilat zhvillohen në vendin e punës nga spitalet apo qendrat shëndetësore përkatëse, nuk do të kenë asnjë kosto financiare. Një risi e rëndësishme e Vendimit të Këshillit të Ministrave është përcaktimi i detyrimit të institucioneve shëndetësore për të planifikuar dhe zhvilluar aktivitetet për personelin e tyre. Është e provuar nga eksperienca jonë dhe ajo ndërkombëtare, që trajnimet apo të gjitha format e edukimit në vendin e punës janë jo vetëm pa kosto ose me kosto të ulët, por mbi të gjitha janë format më efektive të edukimit, që përputhen me nevojat reale të profesionistëve dhe të shërbimeve ku ata punojnë.
(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)
