Gazetari Klevin Muka, ka lexuar një komunikatë në emër të grupit koordinues të protestës ku deklaroi se protesta para Parlamentit ishte për t’ju thënë deputetëve se nuk përfaqësojnë protestuesit, por krimin e organizuar, oligarkinë dhe kryetarin e partisë.
Ai tha se teksa protestuesit po qëndronin në një nga lokalet pranë Parlamentit në ato momente është shfaqur ish-ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, ku truprojat e tij dhunuan qytetarët.
Grupi koordinues deklaron se protesta do të vijojë të jetë paqësore deri në fitore.

Komunikatë!

Në emër të grupit koordinues të protestës, jemi të detyruar që sot, në ditën e 33-të, të mbajmë këtë komunikatë sqaruese, si për ata që janë në protestë, ashtu edhe për ata që po na ndjekin nga e gjithë Shqipëria ose diaspora.

Siç kemi njoftuar edhe publikisht ditën e djeshme, sot, meqë kishte seancë plenare, kemi vendosur që të jemi përpara Parlamentit për t’u thënë deputetëve se nuk janë përfaqësuesit tanë dhe se çdo seancë parlamentare duhet të pezullohet deri në një moment të dytë, për shkak se populli është në rrugë.

Në protestën e ditës së sotme, kishim lajmëruar qytetarët që të pajiseshin me vezë dhe miell, me qëllim bërjen pis të deputetëve që nuk përfaqësojnë votuesit, por krimin e organizuar, oligarkinë dhe kryetarin e partisë.

Kështu, një grup prej nesh, i cili ishte mbledhur më herët pranë Parlamentit, ishte ulur në një kafene, ku po priste orën 10:00 për fillimin e protestës. Në atë moment, pa pritur, është shfaqur ish-ministri i Drejtësisë, i akuzuar për blerje votash në Dibër, konkretisht në dosjen 184, Ulsi Manja, së bashku me badigardët e tij. Në atë moment, protestuesit kanë reaguar dhe më pas janë dhunuar nga policia private e Ulsi Manjës, ku njërit prej protestuesve dyshohet se i është thyer edhe hunda. Që në këtë moment dukej sikur sot policia kriminale ishte bërë gati për dhunë dhe arrestime ndaj qytetarëve.

Më pas, pas arrestimit të djemve, protesta vijoi normalisht, sigurisht me qytetarë të revoltuar për shkak të padrejtësisë që kishte ndodhur. Kjo vijoi derisa, në një moment, qytetarët, të cilët ishin ulur pranë Parlamentit, filluan të dhunoheshin nga Policia në mënyrë të menjëhershme dhe joproporcionale. Policia e Shtetit ndërhyri me dhunë, me shkopinj gome, gaz lotsjellës, pepper spray e me radhë, duke shpërndarë qytetarët dhe duke arrestuar shumë prej tyre.

Dita e sotme na tregoi se kryeministrit Rama dhe shtetit të tij kriminal i është sosur durimi. Ai po tenton me çdo kusht që këtë protestë, e cila ka qenë një protestë shembull për sa i përket qytetarisë, etikës, kreativitetit dhe nivelit të lartë të demokracisë, ta bëjë pis. Pikërisht në këtë moment, ne do t’i themi se kjo protestë është gjëja më e bukur që i ka ndodhur këtij vendi dhe ne do të jemi këtu derisa ti të largohesh në mënyrë paqësore dhe qytetare.

Nëse argumenti juaj është dhuna, argumenti ynë është rezistenca dhe qëndresa. Ne nuk dorëzohemi, ne nuk bëhemi si ju!

Prej sot e tutje ne do të vazhdojmë protestën në mënyrë paqësore, në bulevard deri sa shqiptarët të fitojnë!

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb