Ndërkohë që presidenti rus Vladimir Putin kërcënoi me sulme bërthamore dhe bëri thirrje për mobilizimin e 300 mijë revizionistëve për luftën në Ukrainë, një koment i bërë në një nga televizionet ruse ka tërhequr vëmendjen e mediave britanike.

Një nga propagandistët e Kremlinit, bëri një deklaratë të konsideruar “të neveritshme”, kur tha se Putin duhet të kishte hedhur një bombë bërthamore në funeralin e Mbretëreshës Elizabeth II.

Ai u shpreh se lideri rus duhet të kishte hedhur armë bërthamore në Londër dhe ta kthente atë në një “djerrinë marsiane”.

Andrey Gurulev, komandant ushtarak dhe anëtar i Dumës së Shtetit, tha se kërcënimet perëndimore kundër referendumeve të planifikuara për bashkimin me Rusinë në zonat e pushtuara të Ukrainës duhet të shihen si një vijë e kuqe.

Gjenerali, i cili është anëtar i komitetit të mbrojtjes të parlamentit rus, tha në TV:

“Nëse ekziston një kërcënim real për territorin rus, ne kemi plotësisht të drejtë të përdorim armë bërthamore. Nuk do të provokojë një luftë bërthamore, sepse ne do të përdorim armë bërthamore operative – jo strategjike”, tha ai.

Gurulev madje u shpreh se nuk kishte asnjë arsye se përse Moska të godiste me armë bërthamore Ukrainën apo Gjermaninë, ndërkohë që mund të godiste Britaninë, të cilën e quajti si burimi i të gjitha të këqijave.

Në koment të një deklarate të tillë, spikerja Olga Skabeyeva tha se një sulm i tillë mund të ishte bërë pikërisht të hënën, ditën e funeralit të Mbretëreshës Elizabeth.

“Të gjithë njerëzit më të mirë ishin atje në funeral… Zoti më fal”, tha ajo.

Më pas gjenerali rus vazhdoi komentet e rënda, duke ironizuar se pas kthimit të Britanisë në jë “shkretëtirë marsiane”, mbrojtja e sigurisë së NATO-s do të ishte një gjë pa kuptim.

“Kur Britania të kthehet në një djerrinë marsiane, çfarë do të jetë neni 5 i NATO-s [mbrojtja e sigurisë kolektive]….? Mbrojtja e shkretëtirës marsiane? Nuk do të mbetet asgjë atje. Një ishull i palëkundur – do të jetë i lëkundur”, tha ai.

Kujtojmë se një ditë pasi Lartmadhëria e saj vdiq, Putin i shkroi mbretit Charles III për t’i ofruar “simpatinë e tij të sinqertë” Britanisë.
“Ngjarjet më të rëndësishme në historinë e fundit të Mbretërisë së Bashkuar janë të lidhura pazgjidhshmërisht me emrin e Madhërisë së Saj. Për shumë dekada, Elizabeta II gëzonte me të drejtë dashurinë dhe respektin e subjekteve të saj, si dhe autoritetin në skenën botërore.
“u uroj guxim dhe këmbëngulje përballë kësaj humbjeje të rëndë, të pariparueshme. Ju kërkoj të përcillni fjalët e ngushëllimit dhe mbështetjes së sinqertë për anëtarët e familjes mbretërore dhe të gjithë popullit të Britanisë së Madhe”, shkroi Putin në llogarinë e tij në Telegram.
Megjithatë, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha përpara funeralit të Madhërisë së Saj se Putin nuk do të merrte pjesë.

Peskov tha se megjithëse rusët “respektojnë” mbretëreshën “për mençurinë e saj”, pjesëmarrja e Putinit në funeralin nuk është një opsion.

Një burim i lartë i qeverisë britanike i tha gjithashtu CNN javën e kaluar se Putini nuk do të ftohet për shkak të pushtimit rus të Ukrainës.

Burimi tha se zyrtarë nga Rusia, Bjellorusia dhe Mianmari ishin përjashtuar për shkak të luftës në Ukrainë dhe trajtimit të Mianmarit ndaj popullit Rohingya.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb