Aleatët e politikanit të burgosur të opozitës ruse, Alexei Navalnyt, kanë thënë se ai nuk gjendet në burgun ku po vuante dënimin e tij, raportoi të martën The Guardian.

Bashkëpunëtorët e tij të afërt thanë se ai ka gjasa se po transferohet në një burg tjetër. Në Rusi, transferimet në burg mund të zgjasin me ditë dhe mbulohen me fshehtësi.

“Gjatë gjithë kësaj kohe që ne nuk e dimë se ku është Alexei, ai ka mbetur vetëm me sistemin që tashmë një herë është përpjekur ta vrasë atë”, tha zëdhënësja e Navalnyt, Kira Yarmysh.

Aleati më i ngushtë i Navalnyt, Leonid Volkov, tha se avokati i politikanit shkoi për ta vizituar atë në burg të martën dhe iu tha se “nuk ka asnjë të dënuar të tillë këtu”.

“Ku është tani Alexei dhe në cilin burg po dërgohet, ne nuk e dimë”, tha Volkov.

Navalny, armiku politik i presidentit rus, Vladimir Putinit, u arrestua në janar 2021 pas kthimit nga Gjermania, ku ishte duke u rikuperuar nga helmimi me agjent nervor për të cilin fajëson Kremlinin, dhe iu dha një dënim prej dy vitesh e gjysmë, dënim për shkelje të lirimit me kusht.

Në mars, Navalny u dënua me nëntë vjet burg për mashtrim dhe mospërfillje të gjykatës, akuza që ai i hodhi poshtë si të motivuara politikisht dhe një përpjekje nga autoritetet për ta mbajtur atë pas hekurave për aq kohë sa të ishte e mundur.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb