Presidenti rus, Vladimir Putin, ka paralajmëruar vendet evropiane se Moska është e përgatitur për një konflikt të mundshëm ushtarak, megjithëse nuk dëshiron një luftë me Evropën.

“Nëse shpërthen lufta, nuk do të ketë fitues. Le të mos e harrojë Evropa këtë”, deklaroi Putin, duke paralajmëruar për pasojat e një përshkallëzimi të mundshëm mes Rusisë dhe vendeve perëndimore.

Deklaratat e presidentit rus u bënë gjatë një takimi mes Rusisë dhe vendeve afrikane, ku ai komentoi edhe paralajmërimet e zyrtarëve gjermanë dhe britanikë për mundësinë që NATO të përballet ushtarakisht me Rusinë deri në vitin 2030.

“Shumë njerëz po flasin për nevojën për t’u përgatitur për luftë jo më vonë se viti 2030. A është kjo qasja e duhur? Jo”, u shpreh Putin, sipas agjencisë ruse të lajmeve TASS.

Megjithatë, kreu i Kremlinit theksoi se Rusia është e gatshme të përballet me një skenar të tillë, nëse vendet evropiane zgjedhin përshkallëzimin.

“Para së gjithash, ne jemi gati. Por nuk duam luftë me Evropën. Nëse ata duan luftë, le të përgatiten”, deklaroi presidenti rus.

Putin u bëri thirrje gjithashtu vendeve evropiane që, sipas tij, mbështesin një përballje ushtarake me Moskën, të reflektojnë mbi pasojat që mund të sjellë një konflikt i drejtpërdrejtë.

Gjatë fjalës së tij, ai pretendoi se Perëndimi ka dështuar në përpjekjet për t’i shkaktuar Rusisë një disfatë strategjike dhe se nuk ka gjasa ta arrijë këtë objektiv deri në vitin 2030.

Ndërkohë, nga ana tjetër, zyrtarët britanikë kanë paralajmëruar për nevojën e përgatitjes së NATO-s për skenarë të mundshëm konflikti me Rusinë.

Ministri britanik i Mbrojtjes, Wes Streeting, ka deklaruar se presidenti rus po teston vendosmërinë e Aleancës, duke theksuar se përgatitjet ushtarake nuk nënkuptojnë se Perëndimi dëshiron luftë.

“NATO është një aleancë mbrojtëse”, ka theksuar ai, duke shtuar se Mbretëria e Bashkuar dhe aleatët e saj duhet të jenë të përgatitur për çdo eventualitet.

Streeting vuri gjithashtu në pikëpyetje garancitë e Putinit se nuk synon një konflikt me NATO-n, duke kujtuar deklaratat e mëparshme të presidentit rus për Ukrainën, përpara nisjes së pushtimit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: