FIER

Një 51-vjeçar nga Fieri është arrestuar nga Policia. Sipas efektivëve, shtetasi me iniciale A.B ka qëlluar me armë zjarri duke terrorizuar banorët. Pas kontrollit autorit iu sekuestrua arma dhe një sasi fishekësh.

Njoftimi i policisë:

“Qëlloi në ajër me armë zjarri, identifikohet dhe vihet në pranga nga Policia. Sekuestrohet arma e zjarrit me të cilën kishte qëlluar në ajër, si dhe një sasi fishekësh luftarakë. Shërbimet e Policisë pas telefonatës së marrë në numrin 112 se në Grizë, Patos, në orët e vona të mbrëmjes janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe falë veprimeve të shpejta, bazuar dhe në informacionin e marrë nga banorët, kanë bërë të mundur identifikimin, kapjen dhe arrestimin e shtetasit  A.B., 51 vjeç, banues në Fier.

Nga veprimet e para hetimore dyshohet se ky shtetas ka qëlluar në ajër me armë zjarri, pranë magazinës së tij. Gjatë kontrollit në ambientet e magazinës u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1 armë zjarri pushkë dhe 3 krehëra me fishekë. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak” dhe “Prishja e qetësisë publike”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: