Policia e Beratit ka sqaruar përmes një komunikate zyrtare ngjarjen që terrorizoi mbrëmë Skraparin, ku një person me probleme të shëndetit mendor, pasi qëlloi me armë në ajër hapi zjarr edhe ndaj bluve. Ngjarja ndodhi në lagjen “5 Shtatori”. Ndonëse u fol se në ngjarje ishin përfshirë dy vëllezër, rezulton se në pranga ka rënë Hekuran Hoxha. Ky i fundit u arrestua rreth orës 01:00 të natës, pas ndërhyrjes së Reneas.

Sipas policisë, ky shtetas, në orët e mbrëmjes së djeshme, në katin e parë të një pallati, ka qëlluar në ajër me armë zjarri dhe më pas kur ka parë shërbimet e Policisë ka hapur zjarr edhe në drejtim të tyre. Më vonë, ky shtetas u fut në banesë dhe nuk iu përgjigj thirrjeve të Policisë për t’u dorëzuar.

Shërbimet e Policisë morën masa sigurie dhe rrethuan pallatin. Në ndihmë të Policisë vendore shkuan shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Berat dhe më pas forcat speciale “Renea”.

Pas ndërhyrjes së forcave speciale “Renea” u bë e mundur vënia në pranga e 57-vjeçarit dhe u sekuestrua edhe arma kallashnikov, bashkë me një sasi municioni.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: