Një vatër e madhe zjarri ka përfshirë pasditen e sotme zonën pranë fshatrave Seferan dhe Merhojë, në Bashkinë Belsh, duke krijuar një situatë të vështirë për shkak të përhapjes së shpejtë të flakëve.
Zjarri, i favorizuar nga temperaturat e larta dhe era e fortë, është përhapur në disa drejtime, duke përfshirë sipërfaqe me ullishte, shkurre, bimësi dhe parcela bujqësore.
Situata mbetet shqetësuese, pasi flakët po afrohen drejt sipërfaqeve të tjera me ullinj, ndërsa në rrezik janë edhe disa banesa të ndodhura pranë zonës së përfshirë nga zjarri.
Në terren janë angazhuar forcat zjarrfikëse dhe strukturat vendore, të cilat po punojnë për izolimin e vatrës dhe frenimin e përhapjes së flakëve, veçanërisht në drejtim të zonave të banuara.
Përhapja e zjarrit dhe kushtet e favorshme për avancimin e flakëve kërkojnë ndërhyrje të vazhdueshme dhe monitorim të situatës, ndërsa forcat në terren vijojnë përpjekjet për të vënë nën kontroll vatrën.
