Një 32-vjeçar u arrestua nga policia, pasi dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit të një 24-vjeçari, në lagjen “1 Maji” të Kuçovës.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 15:40, kur shtetasi Senad Rroshniku, 24 vjeç, ka njoftuar Policinë se në drejtim të automjetit të tij, i cili ishte i parkuar, ishte qëlluar me armë zjarri. Pas veprimeve të shpejta hetimore, Policia ka arrestuar shtetasit Arlien Çepele alias Arlind Gjoligaj dhe Ardian Xhako.

Grupi hetimor vijon punën për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, ndërsa po punohet për lokalizimin dhe kapjen e autorit të dyshuar. Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

“Kuçovë/ Qëlloi me armë zjarri drejt një automjeti të parkuar, brenda pak orëve kapet dhe vihet në pranga autori i dyshuar.
Në pranga edhe një shtetas tjetër, i dyshuar për përkrahjen e autorit të krimit. Sekuestrohen arma e zjarrit dhe municion.
Në vijim të informacionit të dhënë më datë 23.08.2026, për ngjarjen e ndodhur në lagjen “1 Maji”, Kuçovë, ku u qëllua me armë zjarri në drejtim të një automjeti të parkuar, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kuçovë, në bashkëpunim me Prokurorinë Berat dhe Forcën e Posaçme Operacionale të DVP Tiranë, vijuan veprimet intensive për lokalizimin dhe kapjen e autorëve të dyshuar. Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe punës së koordinuar, në Tiranë, u bë e mundur lokalizimi dhe kapja e shtetasve A. Ç., alias A. Gj., 32 vjeç, dhe A. Xh., 49 vjeç, të dy banues në Kuçovë. Gjatë kontrollit të banesës së shtetasit A. Xh., në tarracë u gjetën dhe u sekuestruan një armë zjarri dhe disa fishekë, të cilat dyshohet se lidhen me ngjarjen.
Në përfundim të veprimeve procedurale u bë arrestimi i shtetasve:
– A. Ç., për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit”, “Kanosja” dhe “Shkatërrimi i pronës”.
– A. Xh., për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”.
Gjithashtu, u procedua në gjendje të lirë shtetasi S. Gj., 65 vjeç, banues në Kuçovë, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme.”, sqaron policia.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: