ITALI- Qeveria populiste e Italisë ka arritur një marrëveshje për shpenzimet në përpjekje për t’i dhënë fund varfërisë me buxhetin e saj të parë. Partitë udhëheqëse “Lëvizja Pesë Yjet” dhe “Lega Nord” njoftuan se kanë rënë dakord për deficitin buxhetor në nivelin 2.4 për qind të prodhimit të brendshëm bruto.

Ata do të vijojnë përpjekjet për një minimum të ardhurash për të papunët. Një vendim i tillë sfidon kërkesat e Brukselit, pas i kërkon Italisë të frenojë borxhin.

Kjo është gjithashtu edhe një sfidë për ministrin italian të Ekonomisë, Giovanni Tria, i cili ka bërë thirrje për më pak shpenzime. Ministri Tria ka kërkuar të kufizojë deficitin buxhetor nën 2 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, në mënyrë që të shmangte shtimin e borxhit të Italisë prej 2.3 trilionë eurosh.

Por kolegët e tij janë të vendosur të shpenzojnë më shumë para në kuadër të përmbushjes së premtimeve të tyre elektorale duke përfshirë këtu të ardhurat baza, reduktim të taksave dhe anulimin e planit për rritjen e moshës së daljes në pension.

Vendimi i fundit për buxhetin është kritikuar fort nga komisioneri për ekonominë në Bashkimin Evropian Pierre Moscovici. Sakaq, ka raportime se president i Italisë i ka bërë thirrje ministrit Tria të mos tërhiqet.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb