Formimi dhe shpallja e një kabineti të ri qeverisës nuk është në vetvete ngjarje politike. Është thjesht përmbyllja e fazës paszgjedhore dhe momenti i parë i konkretizimit të ushtrimit të përgjegjësive (jo vetëm politike), që Kryeministri i një mazhorance fituese ka para elektoratit të vet dhe vendit.

Në asnjë manual politik, akt ligjor jo e jo, e kushtetutë ca më pak, nuk shkruhet që kriteret politike, profesionale, morale apo edhe gjinore a estetike të anëtarëve të qeverisë, duhet t’i përcaktojë opozita. Nuk është kusht as që ajo ta pëlqejë qeverinë. Por për opozitën tonë, në batakun e shterpësisë ku ajo ka rënë prej shumë kohësh, për fat të keq emrat përbëjnë gjahun e radhës për të bërë ndonjë ditë më shumë “opozitë” pas letargjisë së një vere të nxehtë.

E mësuar të anatemojë e lakojë emra të përveçëm, pa u marrë asnjëherë me thelb, me përmbajtje, me ide e program, kauza të vërteta, e aq më pak me aksion modern e sfidues politik, që duhej të ishte në fakt vazhdimisht edhe një alternativë konkurruese e vizionit të kundërshtarëve politikë.

Por siç e ka thënë Anjshtajni, nuk mund të presësh rezultat të ri duke përsëritur të njëjtën formulë. Kjo për sa kohë mendimi dhe sjellja e Lulzim Bashës nuk ndryshon, edhe pasi ka humbur pesë beteja politike radhazi. Ndaj, përpara se të gjejë ndonjëherë në jetën e tij udhën e të bërit politikë me standart europian, duhet fillimisht të ketë kurajon të shkulë nga bahçja e vet, barishten e tharë plotësisht që në 19 Maj 2021.

Në vend të kësaj, ai vijon refrenin e vjetër kur e quan kryeministrin e rizgjedhur nga vota e shumicës së shqiptarëve si ortakun e “tomdoshëve”, ndërkohë që me këtë që thotë bie në grackën e gjykimit të tij. Ai dhe ne e dimë se Tom Doshi nuk është më deputet, ndërkohë që ai vetë nuk po shkëputet dot nga ortakëria asfiksuese politike me të shpallurin rishtaz non-grata.

Nuk mendoj se në sytë e opionionit publik, e aq më pak të faktorit ndërkombëtar, sidomos SHBA-së, përbën rëndësi nëse këtë ortakëri ai nuk e zhbën dot prej mungesës së të qënurit lider, prej ndonjë pengmarrje politike nga “babai” politik apo ndonjë frikë tjetër. Ajo që ka rëndësi për qytetarët, është që opozita institucionale vijon të administrohet nga një lider pa asnjë vizion, i cili pushtetin brenda partisë së tij e rimerr me skema nga më të shëmtuarat pasi ka humbur çdo palë zgjedhje. Asnjëherë nuk e përdor atë në funksion të interesit të gjerë opozitar, thjesht në funksion të interesave vetjake apo familjare.

Ndryshe, nuk ka se si shpjegohet frustrimi gjuhësor i përhershëm në çdo gjë që thotë. Diskursi patetik, demagogjia, mungesa e reflektimit, mospasja e kurajos politike, sensi i përhumbur i të funksionuarit si politikan pa bosht parimesh e vlerash demokratike, e kanë kthyer figurën e tij në një personazh shumë të përshtatshëm memesh, ndoshta jo të urryer, por aspak serioz.

Për pasojë, edhe pjesëtarët e enturazhit që i janë bashkuar kuturu filozofisë së tij, natyrisht që nuk mund të na surprizojnë me qëndrimet. Njëri prej tyre për shembull, deri dje zhurmonte pa pushim ekraneve nëpër mediume politike. Një herë si përkrahës i ethshëm i tij, pastaj si “analist” shumë kritik i tij, herën tjetër si servil shembullor, e sot edhe si deputet krenar, me një gjuhë tërësisht bajate patriarkale, madje otomane e deri linçuese, na u shfaq si shëmbëlltyra më e ulët i një përfaqësuesi opozitar, teksa shfrynte dufin e akumuluar prej inatit politik për qeverinë e re.

Edhe pse Shqipërisë i mungon një opozitë me kredite cilësore përfaqësimi, e pavarësisht qerthullit vicioz që ajo gjendet si pasojë e bashkëjetësës helmuese me të shpallurin non-grata, nuk duhet dëshiruar që opozita të mos e gjejë drejtimin e duhur. Për të mirën e interesit të vendit, shoqëria dhe realiteti jonë politik ka nevojë jo vetëm për një mazhorancë të përgjegjshme e të suksesshme, por edhe për një opozitë konstruktive e dobiprurëse, e cila nuk duhet të bëjë kurban të ardhmen e saj, thjesht për fatin politik të dy liderëve të saj, atij de juro dhe atij de facto.

Nga ana tjetër, edhe skuadra qeverisëse e mazhorancës, ka jo thjesht përgjegjësinë e shtuar për të përmbushur e justifikuar besimin e dhënë nga qytetarët për të tretën herë. Ajo ka edhe shansin historik të dëshmojë standarte më të larta të shërbesës publike dhe aftësive administruese. Raporti i ri gjinor i anëtarëve të qeverisë së re, nuk është risia më e rëndësishme, edhe pse kjo e rendit Shqipërinë ndoshta të parën në listë krahasur me qeveritë e shteteve të tjera për balancë gjinore në favor të grave. Risia më e rëndësishme në qeverisje nuk ka lidhje as me gjininë, origjinën apo mbiemrin, por vetëm me punën, aftësinë dhe përkushtimin e palodhur për njerëzit dhe komunitetet, si virtyte dhe cilësi që të nxjerrin faqebardhë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb