Qeveria e Pajtimit Kombëtar (GNA) e Libisë e njohur nga OKB, të dielën u bëri thirrje fuqive ndërkombëtare dhe rajonale të marrin një qëndrim të qartë mbi sulmet e gjeneralit puçist Khalifa Haftar në kryeqytetin Tripoli.

Sipas televizionit libian Al-Ahrar, ministri i Jashtëm Mohamed Taher Siala ka thënë se kriza në vend është rezultat i sulmeve të forcave të Haftarit në Tripoli dhe mbi elementet e ushtrisë së qeverisë që luftojnë grupin terrorist DEASH.

Kryediplomati i vendit tha se GNA është përfaqësuesi i vetëm dhe legjitim i popullit në Libi, prandaj fuqitë ndërkombëtare dhe rajonale duhet të mbështesin qeverinë, duke shtuar se sulmet e Haftarit po pengojnë krijimin e një strukture të qëndrueshme dhe demokratike shtetërore.

Në prill, forcat besnike të komandantit lindor të Libisë, gjeneralit Khalifa Haftar, filluan një fushatë ushtarake për kapjen e Tripolit, por deri më tani nuk kanë arritur të përparojnë përtej periferisë së qytetit.

Megjithatë, më 12 dhjetor, Haftar njoftoi se ka urdhëruar militantët e tij të fillojnë një “betejë vendimtare” për marrjen e qytetit.

Sipas të dhënave të OKB-së, më shumë se 1.000 njerëz janë vrarë që nga fillimi i operacioneve dhe më shumë se 5.000 të tjerë janë plagosur.

Që nga rrëzimi dhe vdekja e Muammar Gaddafit në vitin 2011, në vend u shfaqën dy qeveri: një në Libinë lindore, me të cilën është i lidhur gjenerali Khalifa Haftar dhe e cila mbështetet kryesisht nga Egjipti dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, dhe një tjetër në Tripoli, e cila gëzon njohjen e ndërkombëtare dhe atë të OKB-së.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb