Qytetarët kanë marrë fjalën në protestën e 43-të radhazi duke denoncuar përpjekjet e egra të pushtetit për të shtypur revoltën që po zgjat prej 43 ditësh.
Mjaft e ashpër në fjalën e saj ka qenë një nga aktivistet e pranishme, e cila ka zbuluar metodat e shantazhit dhe intimidimit që qeveria ka përdorur ndaj aktivistëve dhe qytetarëve të thjeshtë që marrin pjesë në protestë.
“Qeveria na ka sulmuar që ditën e parë duke na quajtur agjentë, duke u marrë personalisht me ne, duke tentuar të intimidojë familjarët tanë! Por asnjë manovër nuk na largon nga e drejta jonë për të mbrojtur atdheun tonë!” shpërtheu ajo mes brohoritjeve të turmës.
Më tej, protestuesja theksoi se pavarësisht propagandës së kryeministrit për t’i portretizuar ata si “dështakë e zemërakë”, sheshi tregon një realitet krejt tjetër: një qëndresë të pastër familjare ku spikat guximi i brezave të rinj dhe grave.
“Çdo ditë këtu shikojmë rini, gra, fëmijë, familjarë, të cilët nuk tremben nga asgjë,” përfundoi ajo me vendosmëri përpara Kryeministrisë.
