TIRANË

Deputetja e PD-së Jorida Tabaku deklaroi sot se qeveria po ndryshon për herë të katërt buxhetin këtë vit dhe se ndryshimet nuk kanë sjellë asnjë ndryshim në jetën e qytetarëve.

“Qeveria socialiste po ndryshon buxhetin për herë të katërt për këtë vit. Ndryshimet e shumta deri sot nuk kanë sjellë asnjë ndryshim në jetën e qytetarëve. Në asnjë nga debatet publike për buxhetin nuk është dëgjuar asnjëherë asnjë arsyetim që ka në qendër qytetarin. Pasi ky buxhet shihet për herë të tretë, duke u arnuar, unë besoj problemet reale që ka sot ekonomia as nuk preken, as nuk fliten.
Shqiptarët kanë paguar 1.2 mld euro më shumë për produkte që vijnë nga jashtë.
Shporta e ushqimeve po rritet deri në 29% disa produkte. Ky është realiteti shqiptar, jashtë sallës së këtij parlamenti”, deklaroi Tabaku.

PJESË NGA FJALA E TABAKUT
Buxheti – ndryshime si gjithnjë që nuk sjellin asnjë ndryshim!
Për të gjykuar dhe për të kuptuar një buxhet shtetit mjafton të shohësh se sa herë është amenduar. Deri më tani, ky buxhet është amenduar 3 herë dhe nëse i hyjmë arsyeve reale të këtyre amendimeve do të kuptojmë se asnjëherë nuk kanë qenë prioritet qytetarët.

Fatkeqësisht në asnjë nga debatet publike në lidhje me buxhetin nuk u dëgjua asnjëherë një diskutim që në qendër të ketë qytetarin dhe familjen shqiptare. Edhe kësaj radhe në qendër të debatit nuk janë familjet dhe qytetarët, as kriza që është ulur këmbëkryq në tryezat e shqiptarëve.
Pasi ky buxhet, rishihet për herën e tretë duke u arnuar për interesin e disa oligarkëve, disa bizneseve që vazhdojnë të pasurohen ndërsa familjet shqiptare largohen. Një tjetër tragjedi që shoqëron debatet e buxheteve në parlament.

Sa më shumë që shqiptarët largohen aq më shumë debatohet për një buxhet që nuk u shërben atyre dhe as u ofron atyre më shumë mundësi. Përkundrazi përherë vijmë dhe diskutojmë në fund të vitit një akt normativ që si për çdo vit adreson një llokmë të madhe buxheti të shpërndarë me koncesione apo tendera publikë.

Eurostat edhe një herë na ka renditur në vendin me fuqinë blerëse më të ulët në rajonin e Ballkanit Perëndimor, 32% e mesatares së BE. Më poshtë se Mali i Zi që ka një popullsi prej thuajse 1 milion banorësh, më poshtë se Bosnja Hercegovina që ka thuajse dy vjet që nuk miraton një buxhet.
Po të fundit jemi dhe në raport të të ardhurave për frymë ndërkohë që jemi të parët në raport me PPP-të dhe shpenzimet për PPP në rajon.

Këto disnivele tregojnë edhe një herë për një shoqëri thellësisht të padrejtë në raport me ata që punojnë dhe investojnë për të ardhmen e tyre. Pasi është e pamundur që kjo shoqëri dhe kjo Shqipëri të prodhojë vetëm për 5% të qytetarëve e biznesve dhe më tej 95% shqiptarë të varfër apo shtresë e mesme që vetëm mund të varfërohet.
Një vit më parë në debatin për buxhetin e këtij viti kam kërkuar nga qeveria që të ketë parasysh dy çështje; së pari krizën inflacioniste që po dukej në horizont dhe që qeveria e mohonte me kokëfortësi. Së dyti, manaxhimin e një borxhi të fshehur që po lindte si pasojë e rindërtimit dhe keqpërdorimit të buxhetit për interesa fushate dhe jo vetëm.

Jemi sot në prag të vitit 2023 dhe qeveria ka miratuar një buxhet ku pranon se ka një borxh të fshehur dhe detyrime të prapambetura që kapin shifrën e thuajse 1 mld euro.
Jemi sot përpara faktit që shqiptarët kanë paguar deri në nëntor të këtij viti 1.2 mld euro më shumë për produkte importi edhe pse importet janë pakësuar me 6.4%.
Shqiptarët prej 8 muajsh kanë paguar një çmim nafte me vlerë +200 lek/litër ndërkohë që norma e inflacionit sipas metodës së harmonizuar është 8% duke mos pësuar rënie.

Shporta e ushqimeve është inflacionuar me 30% mesatarisht që nga shkurti 2022.
Ky është realiteti i vendit më të varfër në rajonin e Ballkanit Perëndimor, që ka pabarazinë më të madhe në rajon dhe që po vuan më shumë se kushdo tjetër në rajon inflacionin socialist.
Për vite me radhë kemi insistuar që të zhvillojmë një debat se si mund të ndërtojmë një sistem më të drejtë për qytetarët për të promovuar lirinë e tregut, meritokracinë dhe mobilitetin social.

Sa e sa seanca kemi këmbëngulur për të debatuar mbi një Kod Fiskal për të hedhur parimet e një taksimi të drejtë dhe të ndershëm. Ashtu që të ndërtojmë një sistem për qytetarin mbi parimet e taksimit të ndershëm dhe jo një sistem mbi parimet e një ekonomie të monopolizuar.

Por kjo mazhorancë ka refuzuar që të debatojë mbi këto kërkesa që janë themelore për një ekonomi të shëndetshme, për një familje me më shumë të ardhura dhe për qytetarë që të jenë të pavarur.
Ky sistem i pandershëm që është ngritur dhe mbahet përmes arnimeve buxhetore, arnimeve të legjislacionit apo shkrimit të ligjeve me porosi ka prodhuar një treg të monopolizuar që vret konkurrencën për t’i dhënë jetë oligarkisë dhe padyshim korrupsionit.

Ky sistem i pandershëm është shkaku se përse sot bizneset e huaja dhe sipërmarrjet e rëndësishme ndërkombëtare nuk përzgjedhin Shqipërinë por Maqedoninë e Veriut për të ndërtuar fabrikat e tyre. Dhe rasti më i fundit është i Magna International që zgjodhi Maqedoninë e Veriut për shkak të shkallës së “….. taksave, politikat fiskale, si dhe mbështetja qeveritare”.

Ky sistem ka mundësuar sot që inflacioni socialist të godasë gjithë shtresat e qytetarëve që ndjehen të pambrojtur dhe veçanërisht shtresën e mesme. Atë shtresë që është bërthama e një shoqërie në zhvillim. Atë shtresë që ka fuqinë dhe forcën që të ndryshojë jo vetëm jetën ekonomike por edhe drejtimin politik të një vendi. Atë shtresë që nuk e miklon dot as me një thes miell, as me një koncesion apo tender.
Kjo shtresë, familjet e kësaj shtrese sociale janë ata që sot nëpërkëmben më shumë se kushdo dhe që varfërohen më shpejt dhe më shumë nga inflacioni socialist.

Rritja e kësteve të kredive që kanë marrë familjet shqiptare shoqëruar me rritjen e inflacionit po gërryen përherë e më shumë ato pak kursime që kjo shtresë ka vendosur këto vite.
Sot një familje shqiptare e shtresës së mesme për të marrë një shtëpi i duhet të paguajë një kredi prej gati 750 euro këst mujor. Ndërkohë që flasim për një vend që pagën mesatare e ka 450 euro/muaj.

Statistikat tregojnë se thuajse 70% e të punësuarve në Shqipëri nuk përballojnë dot kostot normale të jetës, ndërkohë që shifrat e largimit të shqiptarëve flasin për një varfërim të tejskajshëm të Shqipërisë sidomos në Kukës, Dibër, Shkodër.

Kjo është një Shqipëri shifrash që ky buxhet, këto akte normative dhe fatkeqësisht ky parlament nuk e ka shqyrtuar asnjëherë. Madje, as nuk e ka marrë parasysh asnjëherë në debatin për buxhetin.
Ndërsa shqiptarët ikin gjithnjë e më shumë, qeveria flet për Amnistinë Fiskale.
Ndërsa familjet shqiptare paguajnë 1.2 mld euro më shumë për të blerë më pak produkte në shtëpinë e tyre qeveria flet për “pasaportat e Arta”.

Ndërsa sipërmarrjet e huaja ndërtojnë apo investojnë në fabrika dhe manifaktura me rëndësi afatgjatë ne diskutojmë për tullat dhe betonin e koncesioneve.

Ndërsa shtresa e mesme varfërohet dhe zgjedh të largohet sepse në Shqipëri taksohet dija, puna dhe frenohet tregu i lirë qeveria sjell në kuvend një projektligj për të ardhurat. Një projektligj që efektin duhet ta niste në janar 2023 por që ende nuk është miratuar.
Kjo është një qeveri hipokrite, një qeveri që nuk punon për shqiptarët dhe që nuk ka synim që të rrisë mirëqenien e tyre dhe as ta kthejë këtë vend aty ku i takon.

Ne, kemi propozuar dhe vazhdojmë të kërkojmë një debat kombëtar në lidhje me luftën kundër korrupsionit. Janë mbi tre projektligje që kam propozuar në emër të opozitës që presin diskutimin dhe miratimin.
Kemi propozuar qartësisht një kod fiskal për ta miratuar bashkërisht që kjo t’i shërbejë qytetarëve dhe që asnjë të mos zgjohet në mëngjes dhe të zbulojë se shteti në mënyrë arbitrare i ka vendosur qytetarit apo sipërmarrjes një taksë sepse kështu i teket qeverisë.

Kemi propozuar një sistem të ndershëm taksimi ku të mbrohet qytetari dhe të promovohet tregu i lirë pasi besojmë se Shqipëria nuk mund të ecë përpara me një ekonomi të centralizuar dhe monopolizuar nga një grusht oligarkësh që miratojnë ligje sipas oreksit.

Kjo pasi ne besojmë tek tregu i lirë, tek taksimi i ndershëm dhe i sheshtë që nuk prodhon inflacionin socialist. Që nuk ofron taksimin socialist ku disa taksapagues janë edhe më të barabartë se sa disa të tjerë. Që nuk ofron taksimin socialist të punës, të dijes, të aftësisë për të qenë sipërmarrës.

Ndërsa ju propozonit një fashë prej 800 kilovat orë që e mbajtët si shpata e Demokleut mbi kokat e shqiptarëve të shtresës së mesme, ne ju propozuam që ta taksonit për fitimet ekstra kompanitë e naftës që kanë shitur prej thuajse 10 muajsh naftë me mbi 200 lekë/litër.

Ndërsa ju këmbëngulnit në ERE se pazari me krizën që kish bërë KESH duhet t’iu ngarkohej qytetarëve, opozita kërkonte që çmimi të mos u rëndonte familjeve shqiptare që po paguajnë 30% më shumë për shportën e ushqimeve bazike.

Pra botët tona janë të ndryshme pasi ne kërkojmë një Shqipëri ku sipërmarrja konkurron me rregulla të barabarta, ku qytetarët paguajnë taksa mbi disa rregulla të mirë përcaktuara.

Ndërsa ju kërkoni një Shqipëri ku rregullat dalin nga zyra e financës së oligarkëve, pasi ministrat e kësaj qeverie falen një herë tek zyrat e tyre përpara se të shkojnë në zyrat e shtetit. Ju kërkoni një Shqipëri ku qytetari taksohet për punën pandershmërisht. Ju kërkoni një Shqipëri ku qytetarët të paguajnë edhe inflacionin e oligarkëve përpos se të tyrin.

Prandaj dhe sot familjet shqiptare janë më të varfrat në rajon, me të ardhurat më të ulëta, me fuqinë blerëse më të ulët.
Sa më shumë koha kalon aq më shumë thellohet pabarazia. Ky buxhet që sot arnohet nuk iu është përgjigjur halleve të shqiptarëve.
Kanë pasur dhjetë vjet kohë që t’i tregojnë shqiptarëve dhe vetë opozitës se reformat e tyre ekonomike dhe jo vetëm kanë qenë të suksesshme.

Çdo reformë e pretenduar ka rezultuar një dështim; nga reforma në arsim tek reforma në dogana. Nga reforma në tatime tek reforma në pensione; nga reforma në Energji tek reforma mjedisore e inceneratorëve.
Të gjitha flluska të mëdha që kanë prodhuar më shumë pabarazi, emigracion dhe një Shqipëri më të varfër.
Prandaj sot, shumica nga kjo mazhorancë vjen dhe reciton arritjet e fasadës nën moton “Ne bëjmë atë që themi dhe nuk themi atë që nuk bëjmë!”

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb