Ndonëse partia në pushtet u tërhoq nga projektligji që kufizonte lirinë e mediave dhe shoqërive civile, protestat masive kundër qeverise kanë vazhduar në rrugët e kryeqytetit Tbilisi. Dhjetëra mijëra protestues dolën në rrugët e kryeqytetit gjeorgjian për të tretën natë me radhë jashtë Parlamentit, ku valëvitën flamujt të Gjeorgjisë, Ukrainës dhe Bashkimit Evropian dhe brohoritën slogane kundër Qeverisë dhe kërkuan zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Protestat nisën më 7 mars pasi Parlamenti votoi legjislacionin për agjentë të huaj, që mbështetej nga partia në pushtet. Kritikët paralajmëruan se legjislacioni, detyron organizatat e shoqërisë civile, të pranojnë mbi 20 për qind të fondeve të tyre nga jashtë të klasifikohen si “agjentë të huaj”, është i njëjtë me legjislacionin e miratuar në Rusi.

Përballë protestave dhe kritikave të ashpra nga Perëndimi, ‘Ëndrra Gjeorgjiane’ njoftoi më 8 mars se do të tërhiqte legjislacionin duke thënë se “si parti e Qeverisë është e përgjegjshme për çdo anëtar të shoqërisë, dhe ne kemi vendosur që ta tërheqim projektligjin që e kemi mbështetur”.
Partitë opozitare përmes një deklarate të përbashkët thanë më 9 mars se protestat do të vazhdojnë derisa të ketë garanci se “Gjeorgjia është në kursin pro-perëndimor”.

Opozita shpesh ka kritikuar Ëndrrën Gjeorgjiane se është shumë e afërt me Moskën, e cila mbështet separatistët në rajonet e shkëputura gjeorgjiane të Abkazisë dhe Osetisë së Jugut.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb