NGA OLA MITRE*

TIRANË- Rreth 35 për qind e profesionistëve të shëndetësisë nuk mblo-dhën numrin minimal të krediteve, një detyrim ligjor për ciklin e dytë të ricertifikimit”. Të dhënat i përkasin raportit vjetor të Qendrës Kombëtare të Edukimit në Vazhdim për vitin 2015, i cili shënoi dhe aplikimin e rregullave të reja për mjekët, farmacistët dhe stomatologët.

Sipas këtij dokumenti, që “Gazeta Shqiptare” e disponon, numri i profesionistëve të cilët nuk kanë përmbushur kërkesat e programit të certifikimit (mje-kë që kanë më pak se 10 kredite dhe farmacistë e stomatologë që kanë më pak se 5 kredite) përllogaritet në shifrën 3,828 profesionistë, ku përfshihen: 2,322 mjekë, 867 stomatologë dhe 639 farmacistë. Po ashtu, raporti vlerëson se pjesa tjetër e profesionistëve të shëndetësisë i plotësuan detyrimet ligjore, ndërsa rezulton se më të “rregulltit” janë farmacistët.

“Nga analiza e bërë në përfundim të vitit të parë të ciklit të dytë 2015 vihet re se një numër i konside-rueshëm profesionistësh (rreth 65%) e përfunduan me sukses vitin e parë të ciklit. Në vend të parë qëndrojnë farmacistët, të cilët kanë përmbushur detyrimin në masën 74%, në vend të dytë janë stomatologët me 66% dhe në fund renditen mjekët me 60%.

Mbështetur në të dhënat e përpunuara në regjistrin kombëtar të certifikimit të QKEV-së, numri i profesionistëve aktivë që kanë përmbushur kërkesën e detyrimit minimal të programit të certifikimit për vitin e parë arrin në shifrën 7,045 profesionistë, nga të cilët 3,524 mjekë, 1,702 stomatologë dhe 1,819 farmacistë”, thuhet në raport. Nëse i ndajmë sipas profesioneve, për mjekët vihet re që profesionistët e punësuar në sektorin publik e kanë kryer detyrimin në masën 63%, ndërsa ata të sektorit privat në masën 61%.

Ndërkohë që brenda sektorit publik interesin më të lartë për përmbushjen e kërkesave të programit të certifikimit e kanë pasur ata profesionistë që punojnë në nivelin terciar të shërbimeve shëndetësore. Po ashtu, rezulton se stomatologët që janë me 0 kredite arrijnë në shifrën 400, që do të thotë më shumë se 50% e totalit të të gjithë profesionistëve.

Rregullat e reja
Cikli i dytë i edukimit në vazhdim për profesionistët e shëndetësisë, i cili nisi në vitin 2015 do të zgjasë 4 vite, ndërkohë që numri i krediteve që duhet të grumbullojnë gjatë kësaj periudhe pësoi ulje në krahasim me ciklin e parë. Sipas vendimit të qeverisë, detyrimin për të mbledhur kredite, përveç mjekëve, farmacistëve dhe stomatologëve tashmë e kanë edhe infermierët, ndihmësfarmacistët dhe mamitë, por për këta të fundit aplikimi nisi në janar të këtij viti.

Sipas VKM-së, brenda një cikli 4-vjeçar, mjekët duhet të mbledhin një numër jo më të vogël se 120 kredite të edukimit në vazhdim, stomatologët dhe farmacistët e ndihmësfarmacistët 60 kredite, ndërsa infermierët e mamitë 40 kredite. Gjithashtu, vendimi saktëson edhe ndarjen në përqindje të krediteve sipas kategorive të aktiviteve.

Kështu, kreditet e përfituara nga aktivitete të edukimit në vazhdim të lidhura drejtpërdrejt me specialitetin e profesionistit duhet të përbëjnë të paktën 50% të numrit të përgjithshëm të krediteve të raportuara nga profesionisti, ato të fituara nga aktivitete të edukimit në distancë duhet të përbëjnë jo më shumë se 50% të numrit të përgjithshëm, ndërsa aktivitetet e vetëraportuara duhet të përllogariten deri në 20% të numrit të përgjithshëm të krediteve të raportuara. Po ashtu, për herë të parë u përcaktua dhe një numër minimal vjetor i detyrueshëm kreditesh, i cili për mjekët është 10 kredite, ndërsa për farmacistët, ndihmësfarmacistët dhe stomatologët 5 kredite.

Sipas vendimit, në programin e ricertifikimit përfshihen të gjithë këta profesionistë (shtetas dhe të huaj), që ushtrojnë detyrën në institucionet publike ose private të kujdesit shëndetësor parësor, dytësor dhe terciar dhe ata të institucioneve akademike shëndetësore. Në program nuk përfshihen vetëm profesionistët që punojnë në administratë. Ndërkaq, ashtu sikurse ishte përcaktuar edhe gjatë ciklit të parë, profesionistët e shëndetësisë, të cilët nuk plotësojnë kriteret e programit të certifikimit, do t’i nënshtrohen provimit të certifikimit e nëse nuk e kalojnë me sukses, humbasin licencën.

(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: