Sarandë, lirohet çifti i bashkëshortëve farmacistë të arrestuar dy ditë më parë në kuadër të operacionit “Storage”.

Gjykata e Sarandës ka marrë sot vendimin për çiftin e bashkëshortëve farmacistë të arrestuar dy ditë më parë në kuadër të operacionit “Storage”. Gjyqtraja Suela Xhani ka venbdosur lirimin e tyre nga burgu dhe vijimin e hetimeve nën masën e sigurisë “Arrest shtëpie”.

Kujtojmë se Kristo Angjeli 64-vjeç dhe Aleksandra Angjeli 62-vjeç, pronarë të një farmacie në Sarandë, janë vënë në pranga nga policia, pasi u janë gjetur një sasi e madhe medikamentesh të futura kontrabandë, të cilat kapnin një vlerë prej rreth 70 mijë euro.

Gazetarja Shpresa Dine bën me dije për BalkanWeb se në pranga kanë rënë Kristo dhe Aleksandra Angjeli, ndërsa medikamentet u janë gjetur në farmaci si dhe në dy dhoma në banesën e tyre, të përshtatura si magazinë.

Deklarata e Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë Kryekomisar Gentian Berberi, për operacionin policor të koduar “Storage”.

Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë janë përfshirë në operacione të njëpasnjëshme për goditjen e rasteve të paligjshmërive në tërësi, krimit dhe krimit të organizuar, si dhe për goditjen e rasteve të kontrabandës me mallra që ndikojnë në jetën dhe shëndetin e qytetarëve.

Jam këtu për të bërë prezent rezultatet e operacionit policor të koduar “Storage”, i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Sarandë, në bashkëpunim me Seksionin e Krimeve Ekonomike e Financiare, në DVP Vlorë dhe me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, si rezultat i të cilit është goditur një rast i kontrabandës me medikamente mjekësore të llojeve të ndryshme.

Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Financiare, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Sarandë, në kuadër të përmbushjes së prioriteteve për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e kontrabandës me mallra për të cilat paguhet akcizë, mbështetur me inteligjencë informative, se në një farmaci, në qytetin e Sarandës, tregtoheshin medikamente mjekësore, të dyshuara të kontrabanduara, nga dy shtetas, të cilët mbanin dhe në banesën e tyre medikamente të llojeve të ndryshme, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor koduar “Storage”.

Operacioni nisi në lagjen nr. 1, Sarandë, ku shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në farmacinë e shtetasve K. A. dhe A. A. (bashkëshortë), gjetën një sasi medikamentesh të llojeve të ndryshme, të pashoqëruara me dokumentacionin përkatës, të cilat ishin futur kontrabandë.

Operacioni ka vijuar me kontrollin e banesës së këtyre dy shtetasve, të cilët janë munduar që t’i orientojnë shërbimet e Policisë, në një banesë tjetër, me qëllim shmangien e kontrollit në banesën e tyre.

Shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontroll në banesën e bashkëshortëve, ku kanë konstatuar dy dhoma në të cilat ishin magazinuar 1287 lloje medikamentesh mjekësore në sasi të ndryshme, me vlerë rreth 70 mijë euro. Medikamentet mjekësore u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb