“Këshillimi Kombëtar me qytetarët”, kjo është nisma më e re e promovuar nga qeveria. Kryeministri Edi Rama prezantoi këtë të premte këtë nismë dhe tha se do të pyeten qytetarët lidhur me disa tema, ku një prej të cilave ishte dhe Ballkani i Hapur.

Rama tha se nuk është kurrë herët për të marrë mendimin e qytetarëve rreth kësaj çështjeje, ndërsa shtoi se qëndrimi i tij ndaj kësaj nisme nuk ka ndryshuar.

“Nuk është asnjëherë vonë për të pyetur njerëzit. Nëse do të kishim këtë instrument më parë do të pyesnim më parë. Unë i qëndroj atyre që kam thënë për Ballkanin e Hapur, por e kemi të nevojshme që të dëgjojmë qytetarët. Ne do të këshillohemi me njerëzit për të marrë mendimin e tyre. Kjo për ne është shkuarja në një burim të pashtershëm energjie, që është ajo e popullit. Të tjetër le të thonë çfarë të duan. Ky është një këshillim kombëtar. Duhet ta marrim këtë burim energjie dhe ta vendosim në dispozicion e t’i japim qytetarëve mundësi të jenë pjesë e këtyre vendimmarrje”, tha Rama.

Kryeministri sqaroi se ky pyetësor nuk do të përmbajë koncesionet dhe PPP. Sipas tij këto janë koncepte dhe miratohen për të mirën e qytetarëve.

“Koncesionet dhe PPP janë instrumente të vëna në dispozicion nga bota e të gjithë qeverive. Nuk kemi çfarë diskutojmë lidhur me këto koncepte e instrumente. Jemi në një vend kapitalist, ku instrumentet janë në dispozicion. Shqiptarët paguajnë për efekt koncesionesh të caktuara, po ja që na del që shqiptarët paguajnë për koncesionet e trashëguara. Shqiptarët i bëjnë analizat laboratorike, falas. Po natyrisht që për laboratorët dhe të gjitha analizat shteti ka marrë përsipër të paguajnë tarifat. Shqiptarët po njohin Dibrën. Sot, shkoni shikoni pa u mbaruar e gjitha sepse kemi tunelin që do e bëj Dibrën jastëkun e universitetin, shkojnë e vijnë studentët dibranë. Ku është e keqja e këtij partneriteti? E merr privati që ta bëj më shpejt, sepse shteti do vononte kohën. Shqiptarët bëjnë analizat sot, e në të kaluarën e bënin me turne. Shqiptarët sot kanë kryeqytetin e tyre pa tym e plehra. Kanë Fierin, patjetër që janë partneritete, por fitojnë shqiptarët”, tregoi kryeministri.

Rama tha se qytetarët mund të pyeten për referendumet dhe të japin mendimin e tyre. Ai shtoi se sot nuk ka dy parti, por vetëm Partia Socialiste, ndërsa PD e cilësoi si një sistem “bravash dhe shkelmash”.

“Referendumi mund të jetë temë e këshillimit kombëtar. Ju flisni për 2 parti, sot s’ka dy parti. ka një sistem të padisponueshëm bravash, shkelmash, e sa më takon mua nuk dua të humbas kohë këtë sistem. Më kanë besuar mua një mandat të tretë e dua ta shfrytëzoj. Të thonë çfarë të duan, kjo është këshillim kombëtar. I ftojmë të gjithë të japin opinionin e tyre lirisht. Një parti e vetme nuk bën një proces. Ne duhet të lidhemi drejtpërdrejt me shqiptarët. Ky është instrument i ri, shqiptarët le ta shohin e të gjykojnë vetë. Të gjithëve do i shkojë pyetësori”, u shpreh Rama.

Kreu i qeverisë u tregua i qartë ku tha se kush ka probleme me ligjin do të jetë i larguar dhe do të duhet të përballet vetë me drejtësinë.

“Nuk kam nevojë të pyes qytetarët për këtë, cilido qoftë që kërkohet nga drejtësia për t’u përbaltur me drejtësinë është jashtë. Të tjerave lejeni emrat që dëshironi, e qytetarët t’i vendosin emrat e tyre”, tha Rama.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: