Një qytetare pjesëmarrëse në protestën e 100-të kundër qeverisë ka përcjellë një mesazh të fortë për dinjitetin, meritokracinë dhe të ardhmen e fëmijëve shqiptarë.

Duke folur nga protesta, ajo tha se qytetarët nuk duhet të trajtohen si numra dhe se vendet e punës duhet të fitohen përmes meritës dhe jo përmes lidhjeve apo parave. “Ne nuk jemi numra, kemi emër, kemi dinjitet. Jemi të barabartë. Jo një vend pune të zihet me mik, por me meritë”, u shpreh qytetarja.

Ajo solli në vëmendje edhe vështirësitë e familjeve shqiptare, duke thënë se prindërit përballen çdo ditë me shqetësimin për të ardhmen e fëmijëve dhe për mënyrën se si do ta përballojnë muajin. “Një nënë do që t’i plotësojë dëshirat fëmijës, ndërsa një baba mendon se si do të dalë muajin”, tha ajo.

Qytetarja kërkoi një pushtet që, sipas saj, të jetë në shërbim të qytetarëve dhe jo të interesave personale. “Ne duam një pushtet që të jetë për popullin, jo të mendojë për veten e vet. Ne jemi këtu për të drejtën tonë dhe nuk po kërkojmë privilegje. Po kërkojmë atë që na takon”, deklaroi ajo.

Një tjetër shqetësim i ngritur prej saj ishte emigrimi i të rinjve. Ajo tha se shqiptarët kërkojnë kushte që fëmijët e tyre të mos detyrohen të largohen nga vendi. “Kërkojmë që fëmijët tanë të mos marrin valixhet dhe të nisen në aeroport”, u shpreh protestuesja.

Në fjalën e saj, ajo përshëndeti edhe diasporën shqiptare për protestat e zhvilluara jashtë vendit, duke vlerësuar qëndrueshmërinë e tyre. “Bravo diaspora që proteston prej katër muajsh dhe nuk dorëzohet”, tha ajo.

Në fund, qytetarja ngriti edhe çështjen e ishullit të Sazanit, duke shprehur kundërshtimin ndaj asaj që e konsideroi si përpjekje për shitjen e tij. “Ne jemi këtu, nuk i ndalemi të drejtave tona, sepse i meritojmë. Dhe një ishull që kemi, Sazanin, duan ta shesin”, deklaroi ajo.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: