Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka zhvilluar një vizitë në Fushë-Arrëz, ku ka shprehur kundërshtimin ndaj çdo përpjekjeje që, sipas tij, synon lënien në harresë apo ndryshimin e statusit administrativ të kësaj zone.

Në një deklaratë pas takimit me kryetarin e Bashkisë Fushë-Arrëz, Hil Curri, Blushi e cilësoi këtë zonë si një prej trevave më të rëndësishme të veriut të Shqipërisë, duke vlerësuar historinë, traditat dhe potencialin e saj për zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë lokale.

Blushi akuzoi kryeministrin Edi Rama se po ndjek politika që rrezikojnë shpopullimin dhe dobësimin e zonave të veriut.

“Fushë-Arrëzi nuk është thjesht një emër në hartë. Është histori, është identitet, është vendi i njerëzve që kanë lindur, jetuar dhe sakrifikuar këtu”, deklaroi Blushi.

Ai tha se banorët e Fushë-Arrëzit duhet të kenë një rol të drejtpërdrejtë në vendimmarrjen për të ardhmen e zonës, ndërsa kërkoi më shumë investime dhe vëmendje nga qeveria.

“Edi Rama, mos guxo të prekësh Fushë-Arrëzin! Askush nuk mund të vendosë për fatin e një komuniteti pa dëgjuar njerëzit e tij”, u shpreh ai.

Blushi vlerësoi gjithashtu punën e kryebashkiakut Hil Curri, duke thënë se ai ka kontribuar për zhvillimin dhe mbajtjen gjallë të kësaj zone.

Në përfundim, Blushi përcolli një mesazh të drejtpërdrejtë:

“Fushë-Arrëzi nuk fshihet. Fushë-Arrëzi mbrohet.”

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb