Avokati Genc Gjokutaj ka sqaruar skenarët kur kryeministri Edi Rama mund të merret nga policia dhe të dërgohet në Gjykatën e Posaçme për të dëshmuar në lidhje me dosjen “Partizani”.
I ftuar në “Kjo Javë” me Nisida Tufën, ai u shpreh se kjo mund të ndodhë në rast e kreu i qeverisë refuzon dy herë të dëshmojë në gjykatë.
“Vepër penale. Në planin shtetëror, politik kjo do të jetë një nga skandalet më të mëdha. Ai nuk është i pandehur, dëshmitari nuk ka avokat, është aty që të flasë për çështje të caktuara. Të gjithë janë të barabartë para ligjit, edhe politikanët duhet të mësohen të shkojnë në gjykatë. Gjyqi bëhet në gjykatë në sallën gjyqit. Nëse refuzon të shkojë në gjykatë, bëhet shoqërimi i detyrueshëm. Thirret dy herë dhe nëse refuzon komunikimi bëhet nëpërmjet policisë së shtetit që bën shoqërimin. Rama ka mjaftueshëm këshilltarë që t’i sqarojnë procedurën. Meraku i Ramës është aspekti politik që deri tani e ka ruajtur të pa thyer “vazon”. Rama çarmatosi oficerët e BKH dhe nuk i lejoi të hyjnë në Kryeministri. Rama duhet të shpjegojë procedurën. Ai ka marrë flamurin për planin rregullues të Tiranës, vendimmarrjet e tij ishin të tilla që kanë ndryshuar shumë gjëra në kryeqytet, një nga këto është edhe “Partizani”, ndërrimin e destinacionit të të cilit e bëri Rama për t’ua dhënë klientëve të caktuar. Duke shpresuar që pronarët do të tërhiqen”, tha ai.
