Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe homologu i tij maqedonas, Hristijan Mickoski, inauguruan ditën e sotme regjimin e ri të kalimit kufitar në Qafë Thanë, atë të kontrollit me një ndalesë, i cili pritet të lehtësojë lëvizjen e qytetarëve dhe procedurat doganore mes dy vendeve.
Gjatë ceremonisë, dy kryeministrat e cilësuan këtë një hap të rëndësishëm në forcimin e miqësisë dhe bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Rama u shpreh se synimi i radhës është eliminimi i plotë i kontrolleve kufitare, në kuadër të rrugëtimit të përbashkët drejt Bashkimit Europian. Duke iu referuar shprehjes “Beso dhe kontrollo”, kryeministri shqiptar tha se deri më tani në këtë pikë kufitare zbatohej parimi “kontrollo, kontrollo”, ndërsa me sistemin e ri kalohet në “beso, kontrollo”.
Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit mes dy vendeve për realizimin e projekteve të përbashkëta, duke veçuar Korridorin VIII. Rama falënderoi të gjithë ata që kontribuuan në realizimin e këtij ndryshimi, ndërsa bëri me dije se sistemi i ri do të shtrihet edhe në pikat e tjera kufitare.
Gjatë fjalës së tij, kryeministri nuk i kurseu as batutat me homologun maqedonas, duke u shprehur se kishte edhe një ankesë për të, pasi përkthyesen më të mirë e kishte mbajtur për vete.
Ndërkohë, Hristijan Mickoski e vlerësoi sistemin e ri si një lehtësim të rëndësishëm për lëvizjen e qytetarëve dhe ndërlidhjen mes dy vendeve. Ai shprehu gatishmërinë për ta zgjeruar bashkëpunimin edhe në pikat e tjera kufitare, si dhe për të forcuar lidhjet përmes liqenit të Ohrit.
Regjimi i ri nisi zbatimin ditën e sotme në pikën kufitare të Qafë Thanës, ndërsa Rama pritet të vijojë vizitën në Maqedoninë e Veriut me takime zyrtare me përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe të faktorit politik.
Edi Rama: Hedhim një hap konkret me këtë transformim për miliona njerëz që kalojnë këtë kufi. Ne kemi një shprehje në shqip: ‘Beso dhe kontrollo’. Deri tani, në këtë doganë ishim ‘kontrollo, kontrollo’, tani jemi ‘beso, kontrollo’. Hapi tjetër: beso, beso, që të mos kemi më asnjë kontroll këtu, në rrugëtimin e përbashkët për t’u bërë pjesë e Evropës pa kontrolle në kufijtë mes nesh. Dua ta përgëzoj kryeministrin maqedonas që jemi në një proces bashkëpunimi ku kemi shumë gjëra që duhet t’i bëjmë së bashku. Padiskutim, njëra ndër to është të punojmë dhe të çojmë përpara projektin madhor, Korridorin VIII. Në mbyllje, dua t’u bashkohem kryeministrit Mickoski për të falënderuar ata që punuan për këtë ditë dhe për të realizuar më në fund këtë transformim që, siç thashë, do t’u vlejë shumë njerëzve, miliona njerëzve që kalojnë në këtë doganë. Do të vazhdojmë me pikat e tjera për të njëjtin sistem. Kam edhe një ankesë për Hristijanin. Përkthyesen më të mirë e mbajti për vete.
Hristijan Mickoski: Për mua është nder i veçantë që së bashku me mua është miku im i dashur Edi Rama. Në këtë eveniment të rëndësishëm dëshiroj të uroj këtë festë të rëndësishme si 22 Nëntori, festa e Alfabetit. Është kënaqësi që po bëjmë këtë bashkëpunim me një pikë kontrolli të vetme që lehtëson ndërlidhjen më të lehtë mes dy vendeve. Duam të përforcojmë bashkëpunimin edhe në pikat e tjera kufitare, bashkëpunime në Ohër e Strugë nëpërmjet liqenit me Shqipërinë. Dua të falënderoj ministrin e Punëve të Brendshme, punonjësit, që të kemi një pikë kontrolli të vetme dhe falënderim për mikun tim Edi Rama.
