Protesta e studentëve vijon pa ndërprerje në Tiranë, ku të rinjtë janë grumbulluar përballë recepsionit të Policisë, duke kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama dhe duke bërë thirrje për pjesëmarrje masive në protestë.

Në një prononcim për News24, një prej protestuesve deklaroi se të rinjtë kanë dalë në rrugë për të ardhmen e tyre dhe për të kundërshtuar qeverisjen e Partisë Socialiste gjatë 14 viteve të fundit.

“Protestojmë për të ardhmen tonë, për të gjitha krimet për 14 vite që ka bërë PS, për shumë premtime që Edi Rama nuk i ka mbajtur. Policët duhet të kthehen të gjithë me ne. Edi Rama duhet të ikë, e ka mbyllur ciklin. I bëjmë thirrje të gjithë studentëve nga çdo vend i Shqipërisë”, u shpreh protestuesi.

Situata në kryeqytet vijon të jetë e tensionuar, ndërsa gjatë protestës policia ka përdorur në mënyrë masive gaz lotsjellës dhe ujë me presion për të shpërndarë turmën.

Ndërkohë, gjatë orëve të mbrëmjes janë raportuar edhe arrestime të shumta të protestuesve.

Pavarësisht ndërhyrjes së forcave të rendit, të rinjtë vijojnë të qëndrojnë në protestë, duke këmbëngulur në kërkesat e tyre për ndryshim politik dhe dorëheqjen e kryeministrit.

Protestat e ditëve të fundit janë shoqëruar me përplasje të përsëritura mes demonstruesve dhe policisë, ndërsa pakënaqësia për qeverisjen, korrupsionin e pretenduar dhe problemet ekonomike vijon të jetë në qendër të revoltës qytetare.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: