Qeveria e Kosovës ka miratuar propozim-vendimin për ndalimin e tregtimit të energjisë elektrike me ndërmarrjet e identifikuara nga Serbia. Masa përfshin blerjen, shitjen, importin dhe eksportin e energjisë elektrike, si drejtpërdrejt, ashtu edhe përmes tranzitit apo rishitjes në një ose më shumë shtete të treta.
Gjatë prezantimit të vendimit, kryeministri Albin Kurti deklaroi se kjo masë vjen si përgjigje ndaj bllokimit të vazhdueshëm nga Serbia të alokimit komercial dhe tregtimit të energjisë elektrike në linjat ndërkufitare me Kosovën.
Sipas Kurtit, Serbia ka penguar shfrytëzimin e këtyre linjave, duke shkaktuar dëme financiare dhe duke vënë në rrezik furnizimin me energji elektrike. Ai theksoi se problemi nuk lidhet me dëshirën e Kosovës për të blerë energji nga Serbia, por me pamundësinë për të përdorur infrastrukturën ekzistuese për të importuar energji nga vende të tjera përmes tranzitit.
“Bllokimi i linjave nga ana e Serbisë nuk ka të bëjë me atë se duam të blejmë energji nga Serbia, mirëpo ajo e pamundëson shfrytëzimin e infrastrukturës kritike për të sjellë energji tranzit nga shtetet e tjera”, deklaroi Kurti.
Kreu i qeverisë rikujtoi gjithashtu se më 14 dhjetor 2026 mbushen gjashtë vite nga koha kur sistemi elektroenergjetik i Kosovës fitoi pavarësinë e plotë energjetike.
Vendimi i miratuar nga kabineti qeveritar synon të ndalojë tregtimin e energjisë me ndërmarrjet e identifikuara, përfshirë edhe rastet kur transaksionet realizohen përmes vendeve të treta.
