Reagimet e fundit të kryeministrit Edi Rama lidhur me një “algoritëm” që sipas tij po ndikon në shpërndarjen e materialeve të protestës, kanë marrë një përgjigje teknike dhe profesionale.

I ftuar në News24, inxhinieri kibernetik Erion Demiri ka sqaruar se si funksionon realisht teknologjia e rrjeteve sociale, duke akuzuar kreun e qeverisë dhe klasën politike se po e përdorin këtë term në mënyrë krejtësisht të gabuar për qëllime propagande.

Demiri u shpreh se fjala “algoritëm” po keqpërdoret nga politika për të krijuar imazhin e një “armiku imagjinar”, ndërsa shpjegoi se në të vërtetë bëhet fjalë thjesht për instruksione programesh kompjuterike.

“Kur flasim për algoritmin dhe si përdoret fjala nga politika, është një përdorim i gabuar. Algoritmi është një sërë instruksionesh që përdoren në programe kompjuterike. Sot të gjithë kompjuterët që kemi përdorin programe të bazuara këtu. Mediat sociale bazohen në qindra mijëra algoritme të ndryshme që bashkëpunojnë me njëri-tjetrin.

Fjala algoritëm këtu përdoret politikisht gabim për të etiketuar një armik, diçka që është unike, një algoritëm të plotfuqishëm që në një moment të caktuar vendos të bëhet kundër apo pro teje”, tha Demiri.

Më tej, eksperti kibernetik zbuloi prapaskenat se si vetë politikanët e kanë ushqyer këtë sistem prej vitesh duke detyruar stafet e tyre për reagime artificiale, por që situata u përmbys plotësisht me nisjen e revoltës qytetare.

“Para gjithë kësaj kohe kemi pasur një sasi të madhe aktiviteti nga persona politikë që i kërkojnë stafeve të tyre të bënin like dhe share pafund. Në këtë moment, ai i quajtur algoritëm apo pjesa e programit të secilës media sociale, ajo e merrte dhe na e nxirrte më shumë në ekran. Komentet apo bërja e like bënte që postimi të shpërndahej më shumë”, tha ai.

Inxhinieri theksoi se gjithçka ndryshoi kur reagimi u bë popullor dhe organik. “Në një moment të caktuar ndryshoi situata. Nga 31 maji patëm shumë njerëz që tregonin protestën e tyre dhe filluan të shpërndanin këto video, këngë, parulla etj.”

Sipas Demirit, ky shpërthim i lirë i qytetarëve në rrjetet sociale, jashtë kontrollit të zyrave të propagandës, ka sjellë panik në radhët e pushtetarëve.

“Kjo ka trembur gjithë klasën politike. E gjithë klasa jonë politike është trembur nga kjo”, u shpreh ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb