Kryeministri Edi Rama i la afat drejtorit të ALUIZNI-t në Shkodër orën 16:00 të 25 korrikut për të zgjidhur problemin e qytetarit Maxhid Alibali në lidhje me një leje legalizimi për një pallat të ndërtuar.

Kanë kaluar më shumë se 48 orë dhe porosia e kreut të qeverisë nuk ka marrë një rrugëzgjidhje. Pronari i pallatit thotë se është pritur me arrogancë nga drejtori Tonin Marku. Alibali shprehet se drejtori i ka thënë se çështja e tij nuk mund të zgjidhet duke thyer fjalën e kryeministrit në dëgjesën publike në Shkodër.

“Prisja një telefonatë nga drejtori i ALUIZNI-t në Shkodër, meqenëse ata i kanë kontaktet e mia. Nuk më kontaktuan. Në këtë mënyrë, u detyrova të shkoj tek drejtoria. Ai nuk kishte vullnetin për të më pritur, por pas afro një orë pas dere arrita ta takoj drejtorin në zyrën e tij. Ai më tha troç: “Djalë, ajo që kërkon ti nuk bëhet. Arsyeja është se s’dua ta bëj dhe kaq”. Gjithashtu, drejtori më tha se nuk ta bëj sepse ke hedhur Hipotekën në gjyq dhe ALUIZNI-n në gjyq. Kjo është e vërtetë iu përgjigja, sepse kur kam marrë lejen nga ALUIZNI, nuk ishte ajo leje që unë kërkoja dhe nuk isha i qartë, ndaj dhe isha i detyruar për ta dërguar çështjen në Gjykatën e Shkallës së Parë në Shkodër për të kapur afatet ligjore të ankimimit. I thashë që unë po e tërheq atë padi dhe të sjell dokumentin, meqenëse kryeministri më dha fjalën që do zgjidhet. Unë tha drejtori nuk e bëj, ma preu shkurt”, – u shpreh Maxhid Alibali.

Qytetari në fjalë tregoi edhe historinë e tij: “Për objektin që bëhet fjalë kam pasur një leje nga Bashkia Shkodër për dy kate social-ekonomik dhe dy kate kombinim. Unë kam bërë dy kate pa leje dhe iu drejtova ALUIZNI-t. Ky institucion ma aprovoi për të legalizuar edhe katin pa leje, por nuk e di si ndodhi dhe ndoshta gabimisht nuk më është dhënë sipas dosjes që kam dorëzuar. E gjithë ndërtesa prej 5 katesh më është përcaktuar si objekt social-ekonomik, ndërkohë që dy katet e para janë njësi tregtare dhe 3 të tjera për banim. Kam kërkuar të korrigjohet leja, gjë e cila nuk ka ndodhur”. Pavarësisht kësaj, Alibali ka shpresë se kryeministri Rama do ta mbajë premtimin që ka dhënë duke vënë në lëvizje drejtorin e ALUIZNI-t.

Pavarësisht kësaj Alibali ka shpresë se kryeministri Rama do ta mbajë premtimin që ka dhënë duke vënë në lëvizje drejtorin e ALUIZNIT.Nga ana e tij drejtori Tonin Marku për këtë çështje përgjigje të vetme ka se “do të zbatohet ligji” që nënkupton se e vetmja zgjidhje për të është përmes rrugës gjyqësore. Gjyqi mund të zgjasë për shumë vite duke stërmunduar pronarin e pallatit i cili është drejt falimentimit për shkak se nuk ka shitur hyrjet në ndërtesën e tij.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: