TIRANË

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka dhënë sot një intervistë për median e njohur italiane “ANSA”, ku iu është përgjigjur një pyetjeje në lidhje me vonesat e vazhdueshme në hapjen e negociatave të pranimit në BE të Shqipërisë dhe Maqedonisë e Veriut, si edhe për pasojat e mundshme në Ballkan dhe BE në rast ngurrimi të mëtejshëm.

“Unë nuk jam optimist apo pesimist, thjesht realist. E di, të gjithë e dinë se kjo nuk varet nga ne, por nga Bashkimi Evropian”, thotë kryeministri shqiptar në fillim të intervistës, duke vijuar më tej se “Ne kemi bërë, për më shumë se dy vjet tashmë, gjithçka që ka qenë e nevojshme për fillimin formal të negociatave të pranimit. Por ata ende nuk e kanë mbajtur “premtimin” e tyre për shkak të problemeve të tyre dhe sepse Bullgaria po bllokon Maqedoninë e Veriut”.

Ai tha se Shqipëria ka bërë gjithçka për të qenë pjesë e Bashkimit Europian, por vijon të mbetet e bllokuar për shkak të vetos që Bullgaria i ka vendosur Maqedonisë së Veriut.

“Kështu, në mënyrë krejt të pashpjegueshme, Shqipërisë gjithashtu i duhet të presë që Bullgaria të heqë veton kundër Shkupit. Në çdo rast, unë mendoj se kjo përpjekje na ndihmon të kuptojmë se duhet të ecim përpara sa më shumë që të jetë e mundur, pa e mashtruar veten dhe pa hequr dorë kurrë nga ndjekja e ëndrrës së shumë brezave, ajo për të qenë pjesë përbërëse e Evropës, me çdo kusht”, shtoi Rama, duke kujtuar shprehjen e famshme “me çdo kusht”, e thënë nga Mario Draghi kur ai drejtonte BQE-në. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, që plotësuan të gjitha kriteret dhe kërkesat nga Brukseli, kryen reforma të vështira, por ngërçi vazhdon.

Dy vendet tona, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, janë bërë si personazhet në “Në pritje të Godosë” dhe BE-ja duket shumë si Samuel Beckett. Italia ka qenë mbështetësja jonë besnike gjatë gjithë kohës. Fillimisht Renzi, pastaj Gentiloni, Conte dhe veçanërisht Di Maio nuk mund të angazhoheshin më shumë se kaq në ripohimin se Shqipëria meriton hapjen e negociatave. Por BE -ja është shumë larg lëvizjes strategjike dhe, shumë shpesh, zgjedhjet elektorale në një vend apo në një tjetër janë më të rëndësishme, sesa objektivat për të ardhmen e brezit të ardhshëm të Evropës.

Megjithatë, anëtarësimi në BE nuk ka alternativa. Iniciativa “Ballkani i Hapur”, i mbështetur nga Beogradi, Tirana dhe Shkupi, që rifilloi në fund të korrikut, sigurisht që nuk është. Nuk ka dhe nuk mund të ketë zëvendësim për integrimin evropian. Përkundrazi, nisma “Ballkani i Hapur” është një mjet i ri për të nxitur procesin e integrimit më shpejt, duke zbatuar katër liritë themelore të BE-së në rajonin tonë: Liria e lëvizjes për njerëzit, mallrat, shërbimet dhe kapitalin. Ky është një projekt për paqen dhe bashkëpunimin e qëndrueshëm. Vetëm jemi tregje të vogla, së bashku mund të jemi një treg i vetëm tërheqës”, shtoi Rama.

I pyetur nga gazetari italian nëse e shikojnë si mundësi apo rrezik ndikimin e Kinës, Rusisë dhe Turqisë në Ballkan, Rama u shpreh se ky është më shumë një mit se sa realitet për shqiptarët.

“Rritja e ndikimit kinez, rus, turk dhe arab në Ballkan është më shumë një mit, sesa një realitet për Shqipërinë dhe shqiptarët. Nuk ka asnjë ndikim që mund të ndryshojë anëtarësimin tonë evropian. Evropa është një fe për ne dhe, përtej çdo zhgënjimi, ne duam të jemi pjesë e saj në të gjitha aspektet, si zgjedhja dhe profesioni ynë”, u përgjigj Rama.

Në lidhje me priten e afganëve, Rama u shpreh se historia i ka mësuar shqiptarëve se ka një kohë për të dhënë dhe një kohë për të marrë duke kujtuar strehimin e hebrenjve pas Luftës së Dytë Botërore.

“Historia dhe jeta na mësuan se ka një kohë për të dhënë dhe ka një kohë për të marrë. Shqipëria ishte i vetmi vend i Evropës ku kishte më shumë hebrenj pas Luftës së Dytë Botërore. Shqipëria priti gjysmë milioni refugjatë lufte që iknin nga spastrimi etnik i Kosovës. Shqiptarët ishin afganët e 30 viteve më parë përballë brigjeve të Italisë. Ne ishim të strehuar dhe të ndihmuar atëherë dhe sot falë Italisë dhe të tjerëve që e bënë atë për ne jeta jonë ka ndryshuar përgjithmonë.

Unë e di se nuk është një çështje e lehtë për t’u trajtuar dhe nuk ka një përgjigje të lehtë, por më lejoni ta them këtë. Deri para pak ditësh ne të gjithë atje si NATO ishim engjëjt mbrojtës të tyre. Nuk mund të jetë që ne tani të bëhemi hije për ta, duke u zbehur së bashku me idealet, vlerat, parimet dhe vetë premtimin e lirisë dhe demokracisë.

Nuk mund të ndodhë që ne, aleanca më e fortë ushtarake në tokë, të bëhemi një i pafuqishëm, i pashpresë, krijesë e pakuptimtë jo vetëm në sytë e popullit afgan, por në sytë e botës, të miliona qenieve njerëzore që dëshirojnë lirinë, luftojnë për drejtësi, ëndërrojnë shoqëritë demokratike në shtëpi. Nuk mund të jetë, thjesht nuk mund të jetë që të gjithë ne këtu, bashkësia jonë e vendeve, nuk mund të ,ps japim shpresë, strehë, një jetë të re për të gjithë ata atje, komuniteti i njerëzve që na besuan, punuan për ne dhe luftuan për premtimin e së ardhmes që përfaqësuam”, tha Rama.

(BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb