Protesta qytetare kundër qeverisë vijon edhe këtë të diel, duke shënuar ditën e 50 radhazi të mobilizimit në rrugët e Tiranës.

Qytetarët mblidhen fillimisht në sheshin “Skënderbej”, ndërsa më pas marshojnë drejt godinës së Kryeministrisë, ku janë mbajtur fjalime dhe janë përsëritur thirrjet për ndryshim politik dhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Gjatë javëve të fundit, protestës i janë bashkuar edhe një sërë figurash publike nga fusha e artit, medias dhe ekranit, të cilët kanë zgjedhur të jenë pjesë e tubimeve qytetare.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Mes pjesëmarrësve janë parë aktorët e humorit Albano Bogdo dhe Irgen Çela, të cilët kanë lënë mënjanë angazhimet e tyre artistike për t’iu bashkuar marshimit së bashku me qytetarët.

Në protestë është parë edhe këngëtari Klajdi Musabelliu, i cili më herët ka shprehur publikisht qëndrimet e tij kritike ndaj situatës sociale dhe institucioneve. Ai ka marrë pjesë në marshim së bashku me protestuesit përgjatë rrugëve të kryeqytetit.

E pranishme ka qenë edhe këngëtarja Eranda Libohova, e cila është shfaqur mes protestuesve me një pankartë me mesazh satirik, duke tërhequr vëmendjen e pjesëmarrësve.

Gjithashtu, në radhët e protestuesve është parë analistja Balina Bodinaku, ndërsa pjesë e tubimit ka qenë edhe Nikol, e njohur nga një reality show, e cila është bashkuar me të rinjtë që kanë marrë pjesë në protestë.

Ndër emrat që janë bërë pjesë aktive e protestës gjatë javëve të fundit janë edhe blogerja Dea Mishel, gazetarja Sonila Meço, moderatorja Fjoralba Ponari, aktivistja e shoqërisë civile Dorina Mema, si dhe moderatorja Dojna Mema së bashku me bashkëshortin e saj, Vlashentin.

Dea Mishel është kthyer në një nga figurat më të përfolura të protestës, duke qenë e pranishme në mënyrë të vazhdueshme dhe duke shprehur publikisht mbështetjen e saj për kauzën e qytetarëve.

Edhe Sonila Meço ka qenë ndër zërat publikë që ka reaguar për zhvillimet politike dhe sociale, ndërsa është parë shpesh në shesh mes protestuesve.

Fjoralba Ponari, e cila u bë pjesë e debatit publik pas deklaratave dhe ironive të kryeministrit Rama ndaj disa personazheve publikë, ka vijuar pjesëmarrjen e saj në protestë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb