Edi Paloka nënkryetar i PD-së akuzon kryeministrin Edi Rama se po përfiton nga situata e vështirë e Covid-19 duke abuzuar sipas tij me “të drejtën” e qeverisë për të caktuar ato që quhen “masa shtrënguese”. Z.Paloka thotë për “Gazeta shqiptare”, se z.Rama ka krijuar një kaos të rrezikshëm përmes ndryshimeve të bëra ndërkohë që vëren se vëmendja ndaj qytetarëve është inekzistente. Paloka përmend se gjatë kësaj krize, shqiptarët janë vënë dhe një herë përballë dy qëndrimeve diametrialisht të kundërta; atë të Bashës dhe opozitës që propozon zgjidhje në interes të qytetareve dhe atë të Ramës që kanë shtatë vjet që e dëgjojnë e që përmblidhet në tre fjalë; “BURG,BURG,BURG”. Por Edi Paloka bën të qartë se “opozita është e ndërgjegjshme, sot më shumë së kurrë, se zgjedhjet e lira sa më parë dhe largimi i qeverisë janë zgjidhja e vetme për këtë vend dhe për shqiptarët!”.

Z.Paloka, si e konsideroni zgjatjen e gjendjes e fatkeqësisë natyrore? Pse kjo përpjekje për të shtyrë gjendjen e jashtëzakonshme?
Si fillim duhet të jetë e qartë për këdo që gjendja e fatkeqësisë natyrore, në bazë të Kushtetutës, mund të shtyhet vetëm me një muaj e jo siç kërkon Rama deri në 23 qershor. Kërkesa apo propozimi i Ramës për shtyrjen e kësaj gjendjeje, në kundërshtim me propagandën e përditshme për menaxhimin “me sukses” të situatës, në fakt, tregon të kundërtën, Rama kështu ka pranuar dështimin e tij total. Edhe ky propozim, është konfirmim i kaosit dhe rrëmujës që ka shkaktuar Rama me qëndrimet dhe veprimet e tij, pa asnjë përgatitje paraprake e pa asnjë plan për të ardhmen. Në një kohë kur vende që janë goditur me shumë nga kjo pandemi, kanë paraqitur dhe po zbatojnë planet e tyre për daljen nga gjendja e fatkeqësisë, Rama i cili pretendon se ka qenë më i suksesshëm nga të gjithë në kontrollin e pandemisë, kërkon shtyrjen e saj, madje dhe tej afateve që i lejon Kushtetuta. Sigurisht që përveçse tregues i dështimit të qeverisë, ky propozim ka dhe një qëllim; Rama kërkon të përfitojë e të abuzojë me mundësinë që i jep kjo situatë, pa plotësuar ndërkohë detyrimet e qeverisë ndaj qytetarëve. Gjendja e fatkeqësisë natyrore, vërtet i jep qeverisë të drejtën të marrë disa masa shtrënguese, por në radhë të parë e detyron atë të marrë masa në favor të qytetarëve të saj. Konkretisht, shpallja e gjendjes së fatkeqësisë natyrore e detyron qeverinë me ligj që të mbulojë financiarisht dëmet që pësojnë qytetarët apo bizneset nga kjo situatë dhe nga masat shtrënguese që janë të detyruar të zbatojnë.

Por çfarë ndodh realisht në këtë rast?
Ndërkohe që Edi Rama në njërën anë abuzon me “të drejtën” e qeverisë për të caktuar ato që quhen “masa shtrënguese” e zbavitet deri në perversitet me ndryshimet që bën sipas tekave dhe midesë së tij çdo dy orë, duke krijuar një kaos me pasoja të rrezikshme, në anën tjetër, atë të detyrimeve ndaj qytetareve, është pothuajse inekzistent.

A ishte momenti i duhur për ndryshime në Kodin Penal pikërisht në kulmin e pandemisë?
Gjatë kësaj krize, shqiptarët janë vënë dhe një herë përballë dy qëndrimeve diametralisht të kundërta; atë të Bashës dhe opozitës që propozon zgjidhje në interes të qytetareve dhe atë të Ramës që kanë shtatë vjet që e dëgjojnë e që përmblidhet në tri fjalë; “BURG,BURG,BURG”. Rama nuk ka qenë i aftë të qeverisë as në kushte normale e jo më në situata krizash, prandaj e vetmja “alternative” që ju ka ofruar shqiptarëve ka qenë burgu.

Besoni se shteti ka me shumë para për t’u ardhur në ndihmë shqiptarëve në këtë situatë pandemie?
Ne jo vetëm besojmë, por dhe kemi treguar e argumentuar me detaje se ku gjenden paratë e si mund të përdoren këto para që qytetarët shqiptarë ta kalojnë sa më lehtë këtë situatë dhe bizneset të mos rrezikojnë falimentimin. Do të mjaftonte pezullimi i disa PPP -ve krejtësisht të panevojshme për këtë kohë, që të sigurohej shëndeti dhe mirëqenia e gjithë shqiptarëve të paktën për një periudhë disa mujore. Por Rama jo vetëm që nuk pranon të prekë asnjë qindarkë nga milionat që ndan me pesë oligarkë, por paturpësisht vazhdon edhe në këtë situatë të shpërndajë miliona të tjera me tenderë korruptive që për më shumë i fsheh dhe nën siglën “sekret shtetëror”.

Të plotë e lexoni në: Gsh.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb