Gazetari Almer Toska, i ftuar në emisionin “Minuta e Parë” në News24 përballë gazetares Ola Bruko, ka bërë një analizë të ashpër të aktualitetit politik dhe zhvillimeve të fundit nga hetimet e drejtësisë mbi zyrtarët e lartë të shtetit.
Toska u shpreh se Shqipëria ndodhet përpara një rënieje të demokracisë dhe instalimit të një tiranie ku pushteti nuk buron nga vota e lirë, por nga marrëveshjet me grupet kriminale.
“Kur bie demokracia fillon tirania. Tirania është kapja e shtetit dhe pushtetit në funksion të egos së shfrenuar të atyre që janë në pushtet. Kur një pushtet buron jo nga vota demokratike, por e mbledhur përmes bandave, presioneve e shantazheve, kuptohet që ata që e marrin pushtetin në këtë mënyrë kthehen në njerëz të dëmshëm për vendin. Demokracia nuk ka nevojë për lider të pagabueshëm, por për institucione që ruajnë balancat,” deklaroi Toska.
Gazetari theksoi se kryeministri Edi Rama prej vitit 2021 nuk qeveris më drejtpërdrejt, por ka fragmentuar dhe deleguar pushtetin ekzekutiv për të garantuar qëndrimin e tij në fron.
Sipas Toskës, dy krahët kryesorë të këtij mekanizmi ishin zëvendëskryeministrja Belinda Balluku dhe Ergys Agasi, të cilët kishin për detyrë grumbullimin e votave në terren.
“Rama ka kohë që nuk e qeveris këtë vend. Rama qeverisi nga viti 2013 deri në vitin 2021. Në vitin 2021, kur mori mandatin, ai nuk po qeveris më. Ka deleguar pushtet: një pjesë Ergys Agasit, një pjesë Belinda Ballukut. Këta kishin detyrë të mblidhnin vota në terren përmes organizimit me grupet kriminale, për t’i garantuar Ramës paprekshmërinë në pushtet. Rama trembej se mund t’i bënte puç dikush nga brenda, ndaj këta i garantonin fitoren dhe ai u lejonte pushtet absolut.”
Më tej, Toska u ndal te roli i ish-drejtueses së SHISH-it, Vlora Hyseni, dhe lidhja e saj me Ergys Agasin, duke nënvizuar se siguria kombëtare ka rënë prej kohësh për shkak të përdorimit politik të shërbimit sekret.
“Arriti në atë pikë ky pushtet ku drejtuesja e SHISH-it ishte pas Ergys Agasit. Ai ishte kryeministër në hije i Shqipërisë. Ergys Agasi ka qenë punonjës në Ministrinë e Mjedisit dhe merrte 50 mijë lekë, por kur Rama i dha pushtet, u bë i rëndësishëm. Agasi dhe Vlora Hyseni janë hiç nëse nuk do të kishin pushtetin e dhënë nga Rama. Vlora Hyseni i shërbente çdo lloj dëshire dhe ideje që kishte Agasi për të bërë para. Ai nuk ka pasur ambicie politike, donte të bënte para dhe sot ka pasuri marramendëse. E donte Vlora Hysenin që miqtë e tij të kalonin trafikun e drogës në Shqipëri lirshëm,” përfundoi Toska.
