TIRANE- Kryeministri Edi Rama ka dalë sot në një konferencë urgjente për shtyp, ku ka folur për zhvillimet politike të ditëve të fundit.

Në fjalën e tij, Rama u ndal tek vendimi i qeverisë që ai drejton për lehtësimin e procedurave burokratike për marrjen e vërtetimeve dhe dokumenteve të tjera që tashmë jepen online. Ai u ka kërkuar qytetarëve të refuzojnë çdo kërkesë që u vjen nga zyrtarët për dokumenta të tilla si, certifikata, vërtetim pensioni, vërtetim tatimesh, dëshmi penaliteti, etj.

“U bëj thirrje qytetarëve të refuzojnë kërkesat për certifikatë në letër dhe të kërkojnë në sportel që cilido që u kërkon një gjë të tillë ta bëjë vetë, certifikate personale dhe familjare janë në sistem dhe zyrat e shtetit t’i nxjerrin pa asnjë qindarkë në kohë reale për t’u dhënë qytetarëve shërbim. Refuzojini dhe denoncojini”, u shpreh kryeministri Rama.

Ndonëse nuk ka pranuar të flasë për çështje që kanë të bëjnë me luftën ndaj kriminalitetit, kryeministri nuk ka ngurruar të thumbojë kreun e opozitës, Lulzim Basha, i cili bllokoi sot foltoren e Kuvendit, teksa kërkonte mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve. Për këtë sjellje, kryeparlamentari Ruçi e përjashtoi kryedemokratin Basha nga seanca e sotme plenare.

(m.a/el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb