Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka dënuar veprimin e kryeministrit Rama gjatë ditës së sotme ku largoi gazetaren Edona Haklaj të ‘’Fax News’’ pasi nuk kishte maskë.

Meta thotë se ky është një sulm i dënueshëm, pikërisht disa ditë pas linçmimit publik të Grida Dumës.

Ai i bën thirrje shoqatave të gazetarëve brenda e jashtë vendit si dhe atyre për mbrojtjen e të drejtave të grave që të reagojnë fuqimisht.

Sipas Presidentit, s’ka tolerancë për dhunën, kanosjet dhe kërcënimet ndaj medias.

 

STATUSI NGA ILIR META

Dënoj me ashpërsi dhunën e papranueshme fizike të ushtruar sot nga Kryeministri ende në detyrë ndaj gazetares së nderuar të televizionit “Fax Neës”, znj.Edona Haklaj.

Përdorja e forcës mbi një reportere në krye të detyrës, mbi të gjitha një vajze të re, me pretekstin e mosmbajtjes së maskës antiCOVID, është e papranueshme për traditën shqiptare, moralin njerëzor, për çdo shoqëri demokratike dhe etikën institucionale, për më tepër kur akti i dhunës ushtrohet publikisht nga kryetari i Këshillit të Ministrave.

Ky sulm i dënueshëm, që vjen pak ditë pas linçimit publik të znj.Grida Duma, është vijim i revanshit të rrugaçërisë, dhunës, presionit, shantazhit e bullizmit konstant, që prej vitesh ushtrohet ndaj gazetarëve dhe mediave të pavarura në vend, por dhe ndaj femrave e grave shqiptare, që në të kaluarën e kanë denoncuar dhunën ndaj tyre të këtij individi.

Duke theksuar se liria e medias është kusht i pazëvendësueshëm për garantimin e të drejtave të njeriut në një shoqëri demokratike dhe çeljen e negociatave me Bashkimin Europian, u bëj thirrje shoqatave të gazetarëve brenda e jashtë vendit, si dhe atyre për mbrojtjen e të drejtave të grave, të reagojnë fuqimisht edhe ndaj këtij rasti të përsëritur.

Shpreh solidaritetin tim të plotë me gazetaren Edona Haklaj, televizionin “Fax Neës” dhe të gjithë kolegët e saj të pavarur e kurajozë, të cilët i inkurajoj për të vijuar pa u trembur, misionin fisnik të informimit publik.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb