BARI-Kryeministri Edi Rama është i ftuari i nderit në takimin ndërkombëtar “Rrugët e reja të Levantes. Sipërmarrjet e vendeve të jugut e sfida e internacionalizmit”, që organizohet sot gjatë panairit “Fiera del Lavante”, në qytetin e Barit.

Sipas njoftimit për shtyp nga “Fiera del Levante”, në këtë konferencë marrin pjesë edhe zëvendës ministri italian i tregtisë, Carlo Candela, Presidenti i Rajonit të Pulias, Michele Emiliano, Presidenti i Fiera del Levante, Ugo Griffi, politikanë italianë, sipërmarrës të rëndësishëm vendas dhe të huaj sikurse edhe diplomatë.

Po sipas këtij njoftimi, shefi i qeverisë shqiptare paraditen e sotme merr pjesë në inaugurimin e rrugës “Albania”, brenda territorit prej 280 mijë metra katrorë të këtij panairi ndërkombëtar.

Në orët e mesditës, në ambientet e dhomës së Tregtisë së qytetit të Barit, Kryeministri Rama do të zhvillojë një bashkëbisedim me sipërmarrës italianë dhe të huaj, përfaqësues të kompanive të rëndësishme multinacionale, gazetarë e ekspertë të ekonomisë botërore.

Presidenti i i këtij Panairi, Ugo Patroni Griffi, thekson se “kjo konferencë ndërkombëtare, është një tregues konkret i interesit të shtetit e sipërmarrjeve ndaj tematikave të hapjes së tregjeve dhe individualizmit të rrugëve të reja në zhvillimin e rritjen e shoqërive italiane në veçanti et ë vendeve të jugut në përgjithësi”.

Panairi Ndërkombëtare i Barit, i inauguruar për herë të parë më vitin 1930, çdo vit është një nga manifestimet më të rëndësishme në aktivitetin e sipërmarrjes italiane në shumë sektorë e të bashkëpunimit të tyre me vendet e territoret përreth.

Këtë vit, panairi do të qëndrojë i hapur nga datat 12-20 shtator me pjesëmarrjen e rreth 2000 sipërmarrësve vendas dhe të huaj.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: