TIRANE – Në 5-vjetorin e 21 janarit, kur 4 demonstrues u vranë në bulevard, në një mur në rrugën “Myslym Shyri”, është shfaqur një grafit, me mbishkrimin “21 Janar ka përditë”. Tre të rinj kanë vizatuar kryeministrin Edi Rama, kryeparlamentarin Meta dhe ish-kryeministrin Sali Berisha me kallashnikov në duar.

Policia e Tiranës bën me dije se ka shoqëruar në ambientet e Komisariatit 3 anëtarë të një grupi nga Kosova, që kanë përgatitur grafitin. Këta të rinj, janë ndëshkuar me masa administrative nga Bashkia e Tiranës dhe më pas janë lënë të lirë.

Aktivistja Bora Mema bën të ditur në profilin e saj në “Facebook”, se aktivistët Klodi Leka, Stavro Çina, Isa Myzyraj dhe Albina Ruko janë arrestuar në rrugën Myslym Shyri gjatë aksionit së Organizatës Politike për 21 Janar pa asnjë shpjegim ligjor.

“Aksioni konsistonte në pikturimin e një grafiti të fytyrave të urryera Sali Berisha, Ilir Meta dhe Edi Rama me automatikë në dorë. 21 Janari nuk është vetëm data kur vrau Sali Berisha për hajdutërinë e Ilir Metës dhe burracakërinë e Edi Ramës. Më gjerësisht, ajo data e të gjithë të varfërve që vriten dhe gjymtohen nga politikat e agresionit klasor kundër të pamundurve. 21 Janar ka kur një kryefamiljar vret veten se qeveria e Edi Ramës i pret dritat, kur një burrë a grua e zë korrenti teksa mundohet t’u sjellë fëmijëve dritën e hequr nga OSHEE se nuk ka me se ta paguajë energjinë, kur një shitës rruge zhytet në depresion se polici bashkiak e zë me shkelma, kur një student bie pre e depresionit dhe kriminalizohet se qeveria rrit tarifat universitare. Prandaj parulla, për të cilën aktivistët u arrestuan si në diktaturë se shprehën publikisht kontestimin e tyre, ishte: 21 Janar ka përditë!”- shkruan Bora.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: