Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka nisur ditën e sotme takimin me demokratët në Berat, ku ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se po propozon ndryshime ligjore për të mbrojtur veten dhe ministrat e tij nga hetimet e SPAK.

Në fjalën e tij, Salianji u shpreh se ndryshimet e propozuara në ligj nuk bëhen për të ndihmuar qytetarët me procese të padrejta, por për të krijuar garanci për qeverinë.

“Edi Rama ka propozuar ndryshime në ligj jo për njerëzit me gjyime të padrejta, ai e ndryshon për t’i garantuar vetes dhe ministrave të vetë garanci që të mos preket nga SPAK”, deklaroi Salianji.

Ai theksoi se opozita duhet të jetë e sinqertë me veten dhe qytetarët, duke pranuar se edhe Partia Demokratike ka pasur përgjegjësi në të kaluarën.

“Miq, duhet ta themi të vërtetën deri në fund, edhe ne kemi qenë ndryshe më parë dhe duhet të jemi ndryshe sërish”, u shpreh ai.
Salianji krahasoi situatën aktuale me periudha të mëparshme, kur sipas tij, PD ftonte përfaqësuesit e BE-së, SHBA-ve dhe Britanisë për të diskutuar shqetësimet e opozitës dhe publikut.

“Sot fatkeqësisht në PD as nuk hyn e as nuk del asnjë ambasador. Sepse është e vërtetë si drita e diellit se qeveria dhe gjithë politika janë të kompromentuara dhe korruptuara”, tha ai.

Sipas Salianjit, ndryshimi politik nuk vjen vetëm nga dështimi i qeverisë, por edhe nga aftësia e opozitës për t’u bërë e denjë për ta realizuar atë.

“Ndryshimi nuk vjen vetëm sepse qeveria dështon, por kur opozita bëhet e denjë për ndryshimin. Këtu fillon përgjegjësia jonë dhe e PD-së. Nuk mund të ndryshojë gjë nëse PD nuk ndryshon veten e vet”, u shpreh ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb