TIRANE –“Beteja për shëndetësinë është një prioritet themelor i programit tonë të rilindjes shqiptare dhe është një përpjekje që do ta bëjmë përditë, përnatë, pavarësisht të gjithë cinikëve dhe atyre që ngrenë gishtin për të akuzuar për gjera që janë qartësisht trashëgimi e keqe e së shkuarës”. Kështu deklaroi kryeministri Edi Rama pasi zhvilloi një vizitë në QSUT, i shoqëruar edhe nga ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj.

Kryeministri Rama deklaroi se 16 muaj qeverisje janë pak për ta shndërruar shëndetësinë në një histori suksesi, por sipas tij, nga 23 qershori 2013 ndryshimet pozitive në këtë sektor janë reale, të dukshme dhe të prekshme.

“Në 23 qershor 2013 fitoi ambicia për Shqipërinë moderne, përkundër ambicies për pushtet në funksion të grabitjes dhe rrënimit të vendit tonë.  Jemi këtu për të vazhduar së bashku me qytetarët këtë betejë. Nuk sprapsemi, por përkundrazi bëjmë çdo ditë nga një hap përpara. Do ta fitojmë dhe këtë sfidë”- u shpreh Rama.

Shefi i qeverisë kujtoi se gjatë ditëve në vazhdim do të shpaloset platforma e luftës së korrupsionit. “Besoj që kjo do të na japë një fuqi të shtuar në këtë betejë, pasi sa më shumë qytetarët të bëhen pjesë e kësaj beteje, aq më shpejt mund të nxjerrim shëndetësinë në dritën e plotë të rilindjes që duam dhe që do ta bëjmë të mundur së bashku”- tha Rama.

Kryeministri i bëri këto deklarata në një ceremoni për fuqizimin e urgjencës së QSUT-së, ku u shtuan 20 autoambulanca të reja. “Sektori i shëndetësisë po kthehet në kantier që do të sjellë ndryshime rrënjësore”- tha Rama.

(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: