Dy ditë pas deklaratës së kryeministrit Edi Rama se në verë do të hapet diskutimit për rishikimin e fashës së energjisë elektrike, vjen një reagim nga Konfindustria.

Kjo e fundit kundërshton çdo nismë qeveritare për rritjen e energjisë elektrike për bizneset dhe qytetarët. Administratori i Konfundistria, Gjergj Buxhuku u shpreh se duhet një analizë e detajuar e menaxhimit të sistemit energjetik. Mes te tjerash Konfindustria thekson se dëmi financiar nga vjedhjet dhe dëmet në rrjet arrin në 100 mln euro në vit. Buxhuku shton se çmimi i energjisë elektrike në vendin tonë është ndër më të lartët në rajon.

“Konfindustria kundërshton çdo nismë qeveritare për rritjen e çmimit të energjisë për bizneset dhe qytetarët pa një analizë të thelluar paraprake profesionale për gjendjen dhe menaxhimin e deritashëm të sistemit energjetik. Vetëm në rast, se gjykohet, që potencialet vendore energjetike janë përdorur plotësisht me efikasitet profesional dhe pa korrupsion, është e mundshme të ndërmerren nisma për rritjen e çmimit të energjisë.

Sipas të dhënave të institucioneve zyrtare humbjet nga keq menaxhimi i sistemit energjetik në 3 mujorin e parë të vitit 2023, ku përfshihen vjedhjet dhe humbjet teknik, arrijnë në mbi 25.1% të sasisë së përgjithshme të hedhur në rrjet nga 8%, që duhet të ishin. Dëmi financiar publik nga më sipër është prej më shumë se 100 milion euro/vit.

Në vlerën e mësipërme nuk përfshihen dëmet nga keqmenaxhimi i rezervave ujore të mëdha të vendit, humbjet financiare nga transaksionet e shitje-blerjes së energjisë, kostot e tejfryra të kompanive publike të energjisë, etj. Cmimet e shitje-blerjes së energjisë elektrike vlerësohen në humbje për kompanitë publike me mbi 20% të sasisë së energjisë dhe vlerë prej qindra milionë euro/vit. Sa më sipër kryhet në kushtet e subjektivizmit të qartë, duke shmangur ende në vazhdimësi dhe pa asnjë shpjegim dhe përgjegjësi Bursën e Energjisë ALPEX. Gjithashtu, çmimet e energjisë elektrike në tregjet ndërkombëtare janë ulur ndjeshëm gjatë viteve 2022-23 si dhe kushtet e motit kanë qenë shumë të përshtatshme për prodhimin vendor të energjisë, që bëjnë të paarsyeshme rritjen e çmimit.

Konfindustria vlerëson, se bizneset dhe qytetarët shqiptarë kanë çmimet më ta larta në rajon të energjisë elektrike. Cdo rritje e mëtejshme e paarsyetuar e çmimit të energjisë elektrike do të ishte me pasoja të rënda për qytetarët, industritë, bizneset dhe fuqinë konkurruese të ekonomisë kombëtare”, tha Gjergj Buxhuku, administrator i Përgjithshëm.

DEKLARATA E RAMËS:

Po ju kujtoj të gjithëve atyre që na ndjekin se sot vazhdon që në faturën e energjisë elektrike për të gjitha familjet dhe biznesin e vogël dhe pjesën dërrmuese të biznesit, të jetë dora e qeverisë. Ajo që paguajnë familjet, nuk është vlera reale e faturës. Familjet shqiptare dhe biznesi i vogël paguan ekzaktësisht sa paguante me çmimin përpara krizës.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: