TIRANË

Kryeministri Edi Rama ka dalë sot në konferencë për mediat së bashku me ministren e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu për të folur për situatën e COVID-19 duke paralajmëruar masa e gjoba. Kryeministri tha se maska do jetë e detyrueshme në çdo ambient, duke paralajmëruar rrezik të shtuar të infektimit nga koronavirusi me uljen e temperaturave.

Apeli i Ramës për qytetarët, të mendojnë për ekonomitë e familjeve të tyre pasi një mbyllje e përgjithshme do ishte e rëndë, teksa theksoi faktin se qeveria ka angazhuar gjithçka për përballimin e pasojave të tërmetit dhe mbylljes së parë të përgjithme nga COVID-19, raporton “BalkanWeb”.

“Edhe në Austri mësova që sot paradite në mëngjes herët është lajmëruar një valë tjetër masash shtrënguese, mbyllje e kompanive të mëdha, vendosje e punonjësve në kushte pune nga shtëpia ndërkohë që Austria vetëm pak kohë më parë ngjante komplet e çliruara nga virusi. ne ishim për misionin e OSBE dhe na bëri përshtypje që jo vetëm jashtë por as brenda nuk kishte maska dhe ja ku jemi sot sepse ky armik i padukshëm mbetet i konsiderueshëm dhe na mbetet ta ndjekim hap pas hapi këtë proces duke u adaptuar. Situata në vend është larg së qeni një situatë që mund ta ndjekim pa u shqetësuar edhe pse nuk është sot në kushtet kur kemi një shqetësim disproporcional me parashikueshmërinë që deri sot ka qenë e përputhur me realitetin. Por të kemi parasysh që me ftohjen e sezonit, me uljen e temperaturave, me spostimin e masave të mëdha të njerëzve nga jashtë brenda dhe me rritjen e kohës dhe numrit të njerëzve që qëndrojnë në mjedise të mbyllura, me ajrin e kondicionuar rrezikshmëria e infektimit rritet në mënyrë eksponenciale dhe ne duhet të jemi të vetëdijshëm të hedhim një hap dhe t’i qëndrojmë strikt rregullit të ri që do të vendosim nëse nuk duam të rimbyllemi.
Çdokush qoftë dhe personat që mendojnë se kjo është një lojë e madhe, konspiracion i iluminatit duhet të mendojnë për ekonominë e familjes së tyre. Një mbyllje e përgjithshme nuk do kursejë askënd, as ata. për këtë arsye më mirë sot të hedhim një hap tjetër dhe të jemi të gjithë bashkë solidarë, të vëmendshëm dhe kërkues ndaj njeri-tjetrit se sa nesër të gjendemi brenda mureve dhe të shikojmë rihapjen e kanalit prej nga do të rrjedhin në drejtim të paditur të ardhurat e familjes por dhe të ardhurat e përgjithshme kombëtare. Jemi në kushtet kur kemi angazhuar gjithçka për të përballuar pasojat e tërmetit, mjafton t’i hedhim një sy shumës së dedikuar nga buxheti i shtetit me të cilën po ndërtohen shkolla, banesa. Kemi angazhuar gjithçka për pasojat e mbylljes së përgjithshme. Mundësitë nuk janë të pakufishme dhe nuk mundet dot të shkojmë drejt një mbylljeje të përgjithshme si cjapi tek kasapi. Kini parasysh që para dy ditësh është shënuar dita me numrin më të lartë të infektimeve në botë, si në asnjë ditë tjetër. Ne kemi punuar në mënyrë intensive. Unë nuk kam dashur të stresoj qytetarët duke e përfshirë në komunikimin e përditshëm mbrojtjen anti-covid. Ministrja në detyrë pa orar, puna është bërë fantastike nga pikëpamja e volumit dhe energjive dhe nga pikëpamja e masave të marra duke u munduar të krijojmë një balancë mes informacionit dhe lehtësimit psikologjik të njerëzve. Dhe falja e gjobave dhe intensiteti i ulët i kontrolleve duhet lexuar si një përpjekje për të reduktuar stresin e bizneseve, kompanive dhe natyrisht në dëshirën e mirë që vetëdija e çdo qytetari, e çdo pronari të cilësdo hapësirë private, e çdo përgjegjësi për hapësirën publike të brendshëm të bëjë punën e vet pa masa represive. Por fatkeqësisht, një pjesë nuk e kanë kuptuar kështu dhe ia kanë hedhur në thonjëza vetes dhe familjes së tyre por edhe shoqërisë duke mos bërë gjërat më elementare, vendosjen e maskës në mjedise të mbyllura dhe ruajtjen e distancave në mjedis të hapur”, deklaroi Rama.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb