Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë Tedi Blushi ka reaguar sot në lidhje me presionin që i bëhet prej muajsh tashme mediave News24, BalkanWeb, Panorama dhe Gazeta Shqiptare, nga kryeministri Edi Rama.

Në një postim në rrjetet sociale, Blushi shpreh solidaritetin ndërsa shtoi se qëllimi i kryeministrit është heshtja e gazetarëve për të mos folur në lidhje me skandalet dhe korrupsionin e kësaj qeverie.

Blushi bëri thirrje që instancat e BE të ushtrojnë presion ndaj qeverisë dhe Edi Ramës në mënyrë që të ndalë presionin ndaj mediave dhe gazetarëve në vend.

Postimi i plotë:

Solidaritet të plotë me shqetësimet e drejta të kolegëve të “News 24”, “BalkanWeb”, “Panorama” dhe “Gazeta Shqiptare” të vendosur prej muajsh nën kushte dhune, presioni dhe shantazhi skizofrenik nga Edi Rama, ky armik i madh i lirisë së fjalës dhe pavarësisë së medias.

Dhuna e dënueshme dhe presioni brutal i regjimit mafioz të Edi Ramës kundër gazetarëve ka për qëllim vetëm mbylljen e gojës së gazetarëve për të mos folur për korrupsionin dhe inkriminimin e Qeverisë.

Është koha që Komisioni Europian, Parlamenti Europian, Këshilli i Europës, Komisioni i Helsinkit të Kongresit Amerikan, Amnisty International, Human Right Watch, Reporterët pa Kufij dhe të gjitha organizatat prestigjoze ndërkombëtare të gazetarëve të ushtrojnë të gjithë presionin e tyre për t’i kërkuar Edi Ramës dhe Qeverisë së tij të ndalin presionet dhe shantazhet ndaj reporterëve dhe mediave të pavarura në Shqipëri!
Në mbrojtje me çdo çmim të fjalës së lirë!

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb