Partia Republikane mblodhi dje aktivin e Tiranes ku u vu re një pjesëmarrje e madhe e  të rinjve. Në fjalën e tyre ata shprehën angazhimin në Partinë Republikane si detyrim karshi Shqipërisë dhe të djathtës, si rruga e vetme jo vetëm për të larguar Edi Ramën por edhe për të punuar me përkushtim për të ardhmen Europiane.

Kurse  kryetari republikan Fatmir Mediu deklaroi se kur Edi Rama erdhi në pushtet, Shqipëria ishte vend anëtar i NATO-s falë lidershipit të z.Berisha dhe angazhimit të të gjithë qeverisë për të luftuar krimin dhe falë reformave ekonomike dhe institucionale.

“Po ashtu, kishin arritur liberalizimin e vizave me BE. Ndërsa Rama mohoi dhe shkatërroi çdo gjë, duke bërë që Europa të jetë një ëndërr e largët dhe pushteti i shqiptarëve, u mor peng nga krimi dhe korrupsioni. Por, nuk është e mjaftueshme vetëm të tregojmë sa keq jemi! Duhet të rindërtojmë besimin, duke garantuar pjesëmarrjen reale të vlerave politike dhe njerëzore të historisë të së djathtës dhe sidomos rinisë, e cila duhet të ndërtojë shtetin europian me një platformë të qartë dhe me pjesëmarrje në parlament e qeveri.

Brenda mandatit të parë të qeverisë ne duhet të bëjmë Shqipërinë vend anëtar të BE-së dhe mbi të gjitha në vend të urrejtjes, përbuzjes e përçarjes, të ndërtojmë dashurinë, respektin dhe besimin e shqiptarëve drejt qëllimeve të mëdha që kemi nisur. Nuk kemi asnjë rrugë tjetër veçse të përballemi me të keqen, krimin, korrupsionin, largimin masiv nga Shqipëria, papunësinë dhe varfërinë në çdo skaj të Shqipërisë, në çdo qendër votimi. “Shpresa është te rinia! Pa shpresë një komb pushon së egzistuari!”- theksoi Mediu.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb