DURRES– Kryeministri Edi Rama është ndalur ditën e sotme në Rrashbull për të shpërndarë 1200 leje legalizimi. Duke u shprehur se ky proces është falas, pa kosto për qytetarët, Rama ka akuzuar qeverinë e mëparshme se në 8 vite ka dhënë vetëm 59 leje legalizimi, e kryesisht për biznese. Rama tha se tashmë për banorët e Rrashbullit do të shpërndahen 1200 leje legalizimi për banesa.


“Në një vit kemi çuar përpara procesin e legalizimeve, duam t’i japim fund zvarritjeve në këtë proces. Gjatë qeverisjes së shkuar është bërë shumë pak për legalizimet. në 8 vite u legalizuan 59 ngrehina, nga të3 cilat pjesa më e madhe biznese, ne sot do të ndajnë 1200 leje legalizimi falas, të gjitha banesa. Me këtë takim ne kalojmë 7 mijë legalizime vetëm në Bashkinë e re të Durrësit. Sigurisht që ka ende shumë për të bërë. Nëse shohim se ç’duhet bërë, jemi ende larg destinacionit. Por nëse krahasojmë me ç’ishte bërë në 8 vite, është e dukshme se sa është bërë në 18 muaj. Dhe kjo tregon se jemi në drejtimin e duhur”, tha kryeministri Rama.

Kryeministri Rama tha se qeveria që ai drejton do të vijojë investimet në qendrat e banuara, për t’u krijuar atyre sa më shumë mundësi dhe shërbime të ofruara.

“Ne do të vazhdojmë të bëjmë investime te ai që ne e quajmë Durrësi i ri, ndërsa ata të PD e quajnë këneta. Se ashtu e duan ata, që të vazhdojnë t’i gënjejnë. Ne duam të transformojmë jetën e qendrave të banuara. Vangjush Dako është një shembull, një model, një arsye për të besuar se është fjala te një vizion dhe te një projekt. Do të bëjmë investime në të gjithë Bashkinë e re të Durrësit.
Thonë do ulim çmimin e energjisë. Kush do ta bëjë këtë, Grida? Si do ta bëjë? Thonë do grisim hartën e re territoriale. Çdo bëjnë do kthehen prapë te komunat? Po këtë s’mund ta bëjnë kryetarët e Bashkive, nuk është në dorën e tyre. Duhet të ofrohen më shumë shërbime për qytetarët. Këto janë zgjedhjet e 21 qershorit. Ne kemi programin dhe planet për këto. Ata nuk flasin për këto, se nuk dinë t’i bëjnë. Nuk dinë të japin shembuj”, tha Rama.

DAKO: DO TË VIJOJMË INVESTIMET NË BASHKINË E RE TË DURRËSIT
Kandidati i ASHE për bashkinë e Durrësit Vangjush Dako, është shprehur se do të vijojë puna për shpërndarjen e lejeve të legalizimit për këtë bashki, ndërsa përmendi edhe investimet në zonat përreth qytetit.

“Jam i kënaqur me mënyrën se si po ecën procesi i legalizimit në Durrës. kjo është një punë që do të vijojë, dhe i garantoj qytetarët që kanë aplikuar për të marrë leje legalizimi se do ta marrin atë, pari ky është një proces që po vijon. Ky proces do të shtrihet në të gjithë bashkinë e re, dhe po kështu do të vijojnë edhe investimet”, tha Dako, ndërsa premtoi se kjo do të bëhet realitet në 4 vitet e ardhshme.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb