Kryetari i PD-së, Sali Berisha ka komentuar sot për gazetarët vendimin e dhënë dje nga GJKKO, e cila thirri si dëshmitar në procesin e tij gjyqësor, kryeministrin Edi Rama.
Berisha tha se Rama është kërkuar që të jetë i pranishëm në procesin ‘Partizani’, pasi ky i fundit sipas tij ka 12 firma në vendimin në fjalë për privatizimin e këtij kompleksi.
Ai tha se kurrë nuk kishte firmosur kundër një vendimi të kryetari bashkie. Berisha shtoi se Rama siç duket ia kishte venë syrin, duke ia ndryshuar projektit destinacionin.
“Mezi pres përballjen. Madje them që të vijë më herët. Përballjen e kërkoj dhe e kam kërkuar me Ramën. Ai është njeriu që ka një aferë të rëndësishme, pasi ka ndryshuar destinacionin, pasi asnjë prej pronarëve se ka kërkuar. Përveç Oltit. Mund ta gjej nëpër arkiva atë.”, tha Berisha.
Prononcimi i plotë i Berishës
Pyetje: Z. Berisha, ditën e djeshme, GJKKO ka vendosur të thërrasë si një nga dëshmitarët për çështjen ku jeni person nën hetim edhe kryeministrin Rama. Keni një koment?
Sali Berisha: Është kërkuar me kohë thirrja e Edi Ramës pasi në atë dosje Edi Rama ka mbi 12 firma, ose 10 firma, se tani duhet t’i numëroj. Prej tyre, në shkelje flagrante të ligjeve dhe i ndëshkuar nga gjykata për to dhe prokuroria mercenarët e Ramës nuk e thirrën njëherë kur ne kërkuam. Përkundrazi akuzuan Sali Berishën për gjëra që nuk kishte asnjë lidhje me to. Gjykata zbatoi ligjin në kuptimin që firmat aty janë të Edi Ramës. Unë kam një firmë pas firmës së Edi Ramës, ex-oficio firma ime. Që absolutisht në gjithë aktivitetin tim nuk kam firmosur ndonjëherë kundër projekteve që ata kanë prurë, sepse me Kushtetutë, territori është i bashkive përveç rasteve kur kërcënohet siguria.
Edhe në atë rast, Kongresi i Autoriteteve Rajonale u shpreh në favor të Ramës dhe kundër meje. Pra, unë nuk mund të ndryshoja dhe Rama me 12 firma, Rama i cili ka ndërruar destinacionin pa u kthyer prona tek pronari, pa kërkesën e pronarëve, pa kërkesën e pronarëve fare, ka ndërruar destinacionin e një pjese të mirë të territorit në vitin 2006 për ta shndërruar në zonë urbanistike se duket ia kishte vënë syrin si toka e askujt bashkë me Olsin e tij dhe bashkë me një futbollist. Ishte bërë një treshe që donte të ndërtonin aty parajsën e tij. Kjo është. Thirrja e tij, unë them që çdo gjykatës serioz vendos marrjen në ndjekje penale të Edi Ramës për ato akte. Por edhe thirrja, do të jemi ballë përballë aty dhe i thoni të bëhet burrë, të mos kërkojë seancë pa mediat, të kërkojë mediat aty kombëtare dhe ndërkombëtare dhe të vijnë të shohin shqiptarët se cili është Edi Rama në atë aferë, çfarë korrupsioni, çfarë aktesh korruptive të mëdha ka kryer ai duke ndryshuar destinacion pa asnjë kërkesë nga pronarët, por vetëm për llogari të xhepit të tij dhe enturazhit të tij.
Z. Berisha, ju do shkoni vetë në gjykatë?
Sali Berisha: Sigurisht, pa diskutim, unë e mirëpres të shkojmë. U them bile të afrojmë se populli e pret këtë. Ju siguroj që populli e pret. Shqiptarët e presin me padurim një konfrontim në sallën e gjykatës midis meje dhe kryehajdutit që është bërë tani i famshëm në gjithë botën për vjedhjet që u bën shqiptarëve.
Përballë me zotin Rama apo me zotin Balla që është kallëzuesi juaj në SPAK?
Sali Berisha: Unë përballjen e kam kërkuar dhe e kërkoj me Edi Ramën. Ai është njeriu që ka një aferë të tmerrshme korruptive, ka firmosur ndryshimin e destinacionit pa asnjë kërkesë pronarësh.
Asnjë kërkesë pronarësh, përveç Olsi Ramës dhe është një futbollist tjetër aty, do ia gjejmë emrin nëpër arkiva atij.
Dosja “Partizani”/ Rama thirret nga GJKKO si dëshmitar te gjyqi i Berishës
Kryeministri Edi Rama do të pyetet si dëshmitar në dosjen Partizani, çështje e hapur e drejtësisë për ish-kryeministrin Sali Berisha. Lajmi u konfirmua një ditë më parë për BalkanWeb nga gazetarja Klodiana Lala. Mësohet se kërkesa është pranuar nga GJKKO, ndërkohë që gjykata ka pranuar që kreu i qeverisë shqiptare, të pyetet dhe nga vetë Berisha dhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi, ndaj të cilit ka masë ‘detyrim paraqitje’ për këtë dosje.
Kujtojmë se kryeministri do të merret në pyetje për çështjen e privatizimit, ndërsa në atë kohë ka qenë kryetar i bashkisë së Tiranës. Ka qenë Berisha që ka kërkuar vetë publikisht, por dhe përmes avokatëve të tij, që Rama të thirret si dëshmitar në proces, gjë që nuk u kundërshtua dhe nga SPAK, ndërsa GJKKO vendosi pro thirrjes së tij.
Dosja ‘Partizani’ kaloi për gjykim më 19 maj 2025. SPAK ka ngritur akuzat e korrupsionit pasiv të zyrtarëve të lartë ndaj ish-kryeministrit, Sali Berisha. Dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi është nën akuzë për korrupsion, por edhe për pastrim parash.
Sipas SPAK, ai ka përfituar të ardhura në vlerën e 5.4 milionë eurove nga një biznes ndërtimi në mënyrë të parregullt falë vendimeve të qeverisë të marra nga vjehrri i tij. Tani ngelet për t’u parë nëse kryeministri do të paraqitet në proces apo jo.
