Ish-kryeministri Sali Berisha ka folur sërish me tone të ashpra për protestën e banorëve të “5 Majit”, Paskuqanit e Laprakës, duke u shprehur se qeveria nuk po dëmshpërblen për prishjen e banesave.

Jashtë dyerve të Kuvendit, Berisha komentoi takimin e kryeministrit Edi Rama me disa përfaqësues të banorëve, të zhvilluar sot në Kuvend, duke u shprehur se ai është sjellë me banorët në mënyrë të pashpirt e çnjerëzore.

“Me pashpirëtësinë, çnjerëzinë, e kreut të Meduzës, ndaj banorëve, të cilët në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën po mbrojnë shtëpitë e tyre, që barbarisht po u shkatërrohen nga një bandë e veshur me pushtet, në kundërshtim me të gjitha ligjet e një shteti ligjor. Të ftosh njerëz, qytetarë, në bisedime është një akt normal. T’u përplasësh tavolinën atyre me grusht është një arrogancë ekstreme, të cilën e kanë aplikuar ndaj qytetarëve së pari pushtuesit dhe përveç tyre, edhe diktatorët. Për të gjitha këto, dënoj me ashpërsinë më të madhe, informoj se do të merret nisma ligjore në Parlament për mbrojtjen e banesave të qytetarëve shqiptarë. Me praktikën që po ndjek kreu i Meduzës janë qindra mijëra banesa të pasigurta në Shqipëri.

Midis atyre që u prishen shtëpitë, janë njerëz me tapi 40-50 vjeçare. Që të gjitha janë ndërtuar para vitit 2014, ku gjer në atë vit ligji parashikohen legalizimin para urbanizimit. Nuk jam për të penguar urbanizimin apo kundër ngritjes së qendrave, por jam në mënyrë kategorike kundër shkatërrimit të pronave të qytetarëve pa dëmshpërblimin e plotë në përputhje me rregullat e tregut. Babëzia, hajnia, bën që Bashkia e Tiranës me oligarkun famos Salillari, dhe pallat Kapllanin e Lul Bravës, të mos pranojnë të japin as 9% të sipërfaqes banorëve. Është ekstreme kjo. Është bashkëqeverisja e pengut me pengmarrësin”, tha Berisha.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb