Tregtarët e Vlorës dolën sot në protestë para Teatrit “Petro Marko”, pas vendimit të Këshillit Bashkiak për zhvendosjen e tyre nga tregu aktual. Protestuesit shprehen se nuk janë konsultuar fare për vendimin dhe akuzojnë kryetaren e bashkisë se po tallet me ta.
“Tregu po na merret për të ndërtuar pallate,”, -thonë tregtarët, ndërsa theksojnë se asnjë përfaqësues i tyre nuk u pranua gjatë procesit të vendimmarrjes. Sakaq, kryeministri Edi Rama paralajmëroi se sot do të shkonte në Vlorë, në një moment kur tensionet midis bashkisë dhe komunitetit të tregtarëve janë të larta, duke krijuar një atmosferë pritjeje për reagimin e tij ndaj situatës.
Tregtarët kërkojnë që procesi i zhvendosjes të shtyhet dhe të bëhet me pjesëmarrjen e tyre aktive në vendimmarrje. Sipas vendimit, sektori i fruta-perimeve do të vendoset në tregun e Çoles, ndërsa tregtarët industrialë do të kalojnë në tregun e Shumicës në Jalli të Nartës.
