VLORË

Kryeministri Edi Rama tha sot nga Vlora se ajo që e bën më të ndjeshme me këtë zonë është bukuria dhe potenciali. Sipas tij, Vlora ka një potencial për të qenë një nga organet më vitale të organizmit të vendit.

“Ndoshta çka unë kam jetuar me Vlorën qysh i vogël, më ka bërë më të ndjeshëm karshi bukurisë dhe potencialit. Nuk është çështja e kujtimeve të mia apo e marrëdhënieve të mia, se mund të kisha kujtime apo marrëdhënie me një zonë që mund të mos kishte potencial të tillë, por është çështja e potencialit. Vlora ka një potencial, është e krijuar për të qenë një nga organet më vitale të organizmit të atdheut tonë, është e krijuar për të qenë një motor me shumë kuaj fuqi i zhvillimit ekonomik dhe vënia në kushte që këto potenciale të zhvillohen është puna jonë”, tha Rama.

Ai solli në kujtesë udhëtimet e tij për në Vlorë duke kujtuar dhe një shprehje të së ëmës, teksa tha se beson që e deri këtu e ka lënë emrin për të birin kur të vijë në Vlorë kur ai mund të mos jetë më.

“Mua më kujtohet kur isha i vogël dhe vinim në Vlorë, natyrisht vinim me atë linjën tren deri në Fier, pastaj autobus Fier-Vlorë dhe pastaj stacioni i autobusit ka qenë në anën tjetër ku ka qenë i ndjeri hotel Adriatiku, fatkeqësisht u shkatërruar dhe pastaj bënim rrugën e bulevardit ku ishin palmat. Dhe më kujtohet gjithmonë kur vij këtu, shprehja e sime mëje palmat e Kristo Papajanit. Ka qenë një Kristo Papajani që mbolli palmat dhe i mbeti emri.

Besoj që në këtë aspekt, në Vlorën edhe deri këtu e kam lënë emrin për Zahon kur të vijë dhe kur të jetë në një moshë që unë mbase s’do jem më. Por përtej emrit, kujtimi i mirë është shumë i rëndësishëm për mua dhe kujtimi i mirë është një nga motivet bazë që mua ma bëjnë politikën pasion dhe nevojën për të qenë i dobishëm për njerëzit. Për ta bërë ekzistencën time të dobishme për të tjerët dhe natyrisht brenda kësaj nevoje për ta bërë ekzistencën time të dobishme për të tjerët është dhe tërheqja e fortë për të punuar për emrin nesër dhe asnjëherë për të menduar kap çfarë të kapësh sot”, deklaroi Rama.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: