*Raunig mori pjesë sot në përurimin e dy zyrave për komunikimin e deputetëve të qarkut të Korçës me zgjedhësit
*Raunig: Prezenca nuk e verifikoi informacionin e përdorur, pasi qëllimi i asaj përmbledhje ishte pasqyrimi i pretendimeve dhe jo përcaktimi i të vërtetës

TIRANË-“Keqardhje që ky informacion u bë publik, pasi ky informacion nuk përfaqëson politikën e OSBE-së”. Kështu deklaroi sot Kryetari i OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Florian Raunig mbi një raport të OSBE, të përfolur si sekret, ku deklarohej se politikanë shqiptarë janë të përfshirë në korrupsion. Raporti u publikua nje dite me pare nga disa media online.

Raunig mori pjesë sot në përurimin e dy zyrave për komunikimin e deputetëve të qarkut të Korçës me zgjedhësit. Lidhur me raportin theksoi:
“Mbi informacionin e paautorizuar dhe çorientues të marrë nga një material informues i brendshëm i Prezencës së OSBE-së, dëshiroj të shpreh keqardhjen tonë që ky informacion u bë publik – pa autorizim – dhe objekt i keqinterpretimeve dhe manipulimeve politike”, tha Raunig.

“Lejomëni ta shpjegoj qartë: informacioni i botuar nuk përfaqëson as politikën e OSBE-së apo pikëpamjen tonë zyrtare, as nuk përbën një vlerësim apo gjykim dhe as nuk ka shërbyer si bazë për raporte të tjera”, u shpreh ambasadori Raunig.

Ambasadori përsëriti se, “përmbledhja ishte thjesht një grumbullim informacioni nga raportime të medias shqiptare dhe pretendimeve që qarkullonin në publik. Prezenca nuk e verifikoi informacionin e përdorur, pasi qëllimi i asaj përmbledhje ishte pasqyrimi i pretendimeve dhe jo përcaktimi i të vërtetës”.

“Prezenca shpreh keqardhjen për shqetësimin që ky informacion mund t’u ketë shkaktuar personave të përmendur në materialin informues. Së fundi, dëshiroj të theksoj marrëdhëniet e shkëlqyera të Prezencës me institucionet shqiptare, veçanërisht me Kuvendin, Qeverinë dhe partitë politike, si dhe hedh poshtë me forcë çdo përpjekje për të minuar këto marrëdhënie. Ne do të vijojmë të punojmë ngushtësisht me të gjithë aktorët për të përmirësuar standardet e jetës publike”, tha Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Florian Raunig.
Në fjalën e tij, Raunig dha dhe këtë mesazh indirekt për deputetët e parlamentit shqiptar. Sipas tij, politikanët duhet të japin llogari për të gjitha veprimet e tyre. Për këtë arsye, është e rëndësishme që puna e Kuvendit të jetë sa më transparente.

“Prezenca e OSBE-së ka qenë një partnere e ngushtë e Kuvendit të Shqipërisë për një dekadë tashmë, dhe kemi punuar së bashku për të rritur profesionalizmin, llogaridhënien dhe transparencën e këtij institucioni.

Deputetët duhet t’i dëgjojnë zgjedhësit e tyre, t’i përfaqësojnë ata siç duhet dhe t’u përgjigjen nevojave të tyre në kohë dhe në mënyrën e duhur. Sa më shumë të dijë publiku për aktivitetin e parlamentit, aq më mirë ai mund të shprehë preferencën e tij dhe t’u kërkojë llogari përfaqësuesve të tij. Sa më shumë deputetët të dinë për nevojat dhe shqetësimet e elektoratit, aq më mirë mund t’u përgjigjen nevojave të tyre.

Sot, kemi të pranishëm deputetë të rajonit të Korçës nga parti të ndryshme. Në Kuvend ata përfaqësojnë jo vetëm partinë e tyre, por edhe qytetarët që votuan për ta. Të zgjidhesh anëtar i Kuvendit është një nder i madh, por kjo gjithashtu nënkupton përgjegjësi të mëdha, si përfaqësues i qytetarëve. Politikanët duhet të japin llogari për të gjitha veprimet e tyre. Për këtë arsye, është e rëndësishme që puna e Kuvendit të jetë sa më transparente, në mënyrë që votuesit të dinë se çfarë bëjnë deputetët e tyre.

Qëllimi ynë – qëllimi ynë i përbashkët – ka qenë gjithmonë që të forcojmë bazën e demokracisë shqiptare; të fuqizojmë pjesëmarrjen; të rrisim besimin. Në fund të fundit, një parlament që funksionon në mënyrë transparente, që është i hapur për qytetarët dhe llogaridhënës, është më efektiv”.

Më tej, Raunig theksoi se hapja e këtyre zyrave të komunikimit me zgjedhësit në Korçë, ka si qëllim, që qytetarët jo thjesht mund të takohen me deputetët e zonës së tyre, por gjithashtu mund të mësojnë më shumë për mënyrën se si funksionon Kuvendi dhe se si ata mund të komunikojnë dhe bashkëveprojnë me të.

“Këto zyra do të ofrojnë një vend ku qytetarë të ndryshëm, përfshi këtu të rinjtë, gratë dhe grupet në nevojë, mund të gjejnë informacion dhe të angazhohen në mënyrë aktive në procesin ligjvënës. Në këto pika të komunikimit mes Kuvendit dhe qytetarëve, qytetarët mund të marrin ndihmë dhe informacion mbi punën e deputetëve të tyre. Në fund të fundit, informimi i qytetarëve për punën e parlamentarëve nuk është vetëm detyrë e medias, por është edhe përgjegjësia e vetë parlamentit.”

Hapja e dy zyrave për komunikimin e deputetëve të qarkut të Korçës me zgjedhësit, të parat e këtij lloji në Shqipëri – është mbështetur nga Prezenca e OSBE-së në kuadrin e projektit “Ndërtimi i urave ndërmjet parlamentit dhe shoqërisë civile”, i financuar nga Agjencia Austriake për Zhvillim dhe i zbatuar nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri.

Në fjalën e saj, zëvendëskryetarja e Kuvendit, Valentina Leskaj, foli për rëndësinë e afrimit dhe komunikimit të zgjedhësve me deputetët. Ajo falënderoi Prezencën e OSBE-së për rolin e saj, jo vetëm me projekte të vecanta, por për kontributin konstant për të krijuar një parlament të demokracisë funksionale. Kryetari i Bashkisë së Korcës, Sotiraq Filo, deputetët e qarkut Gjergji Papa dhe Ilirian Pendavinji gjithashtu falënderuan OSBE-në për kontributin e saj përmes disa projekteve të zhvilluara në Korcë.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: