Një akt vandal ndaj bustit të heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, ndodhi të premten e kaluar në Gjenevë. Monumenti i vendosur buzë liqenit dhe vetëm disa metra larg nga zyrat e OKB, u dëmtua nga persona të panjohur.

Komuniteti shqiptar në Gjenevë ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me rastin, ndërsa thonë se kjo nuk është hera e parë që dëmtohet busti i Skënderbeut. Ngjarja u dënua edhe nga autoritetet zvicerane.

Ndërkohë, një reagim ka ardhur edhe nga Komuniteti Mysliman Shqiptar në Zvicër, respektivisht nga hoxha Mehas Alija, kryetar i KMSHZ-së, raporton gazeta zvicerane në gjuhën shqipe Le Canton27.ch.

“Si Komunitet Musliman Shqiptar në Zvicër dënojmë me forcë aktin e vandalizmit të bustit të Skënderbeut në Gjenevë, një veprim që shkel vlerat e respektit dhe diversitetit ndëretnik dhe ndërkulturor… “, ka deklaruar Alija, imam dhe kryetar i Komunitetit Mysliman Shqiptar në Zvicër.

Ai ka shtuar më tej “ne nuk mund të pranojmë që simbole të rëndësishme të trashëgimisë historike të popujve të shkëmbehen për akte të intolerancës dhe vandalizmit”. “Ky rast na bën të kujtojmë nevojën për të ndërtuar më shumë ura mes komuniteteve dhe për të promovuar më tepër kulturën e tolerancës midis nesh”. 

“Ftojmë të gjithë bashkëqytetarët tanë, pavarësisht prej origjinës dhe besimit, të bashkohen në mbrojtje të vlerave të përbashkëta dhe të angazhohen në nxitjen e harmonisë dhe bashkëjetesës shoqërore ndëretnike, kudo që janë dhe veprojnë“, ka thënë në fund imam Mehas Alija, kryetar i KMSHZ-së.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb